Këshilltarët e gabuar të diplomacisë sonë kulturore
Ata që e kanë këshilluar Ministrinë e Jashtme dhe të Diasporës që të mbyllen qendrat kulturore në mëgrim, i kanë bërë një shërbim shumë të keq çështjes sonë kombëtare, sidomos në ato shtete ku gjuha dhe arsimi shqip janë më të rrezikuar. Askush nuk do ta besonte para disa viteve se një ditë do të jemi dëshmitarë të lajmeve të tilla ku mërgata jonë do të trajtohet si një jetim që ka mbetur në mëshirën e burokratëve të pashpirt që dërgojnë këshilla të gabuara në Ministrinë e Jashtme dhe të Diasporës
Shkruan Mehmet PRISHTINA
Është e tepërt të numërohen meritat e mërgatës sonë në shumë procese të rëndësishme nëpër të cilat kaloi Kosova dhe gjithë bota shqiptare në përgjithësi. Por për mërgatën vazhdimisht flitet si për një pjesë të largët të trupit tonë, të cilën e thërrasim në ndihmë vetëm kur jemi keq. Atëherë kur nuk jemi mirë ekonomikisht, kërkojmë mbëshetje nga diaspora. Të mos flasim kur nuk jemi mirë politikisht. Vazhdimisht mërgatën e trajtojmë si një gomë rezerve, pa të cilën nuk guxojmë të nisemi në një rrugëtim të gjatë. Pra, mërgata jeton me ne dhe në ne, por nuk ia japim hakun që ka, sepse disi nuk duam ta pranojmë publikisht për rolin që ka ajo në jetën tonë të përditshme – private dhe institucionale.
Kur jemi te institucionet, mërgata herë trajtohet si “kuletë rezervë” që plotëson buxhetet e munguara shtetërore, herë si “makinë elektorale” që siguron kontigjent votuesish për të krijuar shumicë parlamentare, por asnjëherë si pjesë e pandarë e zhvillimit tonë si shtet dhe si shoqëri.
Historikisht, mërgata ka qenë motori lëvizës i të gjitha ideve çlirmtare, prandaj si e tillë ajo ka shkruar faqet më të lavdishme të historisë kombëtare. Pavarësia e Shqipërisë u “gatua” në mërgim dhe u finalizua pas përpjekjeve titanike të ideologëve tanë që vepruan në Stambollë, Selanik, Vjenë, Bukuresht, Sofje, Kajro, Romë, Gjenevë, Washington, Nju Jork, Boston etj. Ky rol i mërgatës mbeti i pandryshuar deri në momentin kur shtetet tona kombëtare u pavarësuan dhe u konsoliduan, por nuk duhet harruar se disa segmente të veprimtarisë kulturore e arsimore të diasprës sonë vazhdojnë të jenë të domosdoshme edhe në ditët e sotme. Kjo na imponohet sidomos në ato shtete ku fëmijët shqiptarë ballafaqohen me sfidat e shumta të integrimit, ku rreziku i asimilimit paraqet problem real jo vetëm për prindërit, por edhe për shtetet prej nga vijnë mërgimtarët tanë.
Për të parandaluar këtë murtajë asimiluese në mërgatë, një rol të padiskutueshëm e kanë luajtur qendrat kulturore, klubet dhe shoqatat e mërgimtarëve tanë, përmes së cilave janë amortizuar goditjet që vijnë nga ndikimet e kulturave e civilizimeve të huaja. Të ndodhur në këto rrethana të pa favorshme, shumë veprimtarë të mërgatës sonë janë detyruar të punojnë edhe vullnetarisht që shqipja të mos shndërrohet në gjuhë të huaj për fëmijët tanë në Europë, Amerikë, Australi, Turqi e gjetiu.
Por, kohët e fundit jemi dëshmitarë të një tendence negative që godet drejtpërdrejt mërgatën tonë, pasi që, siç është paralajmëruar, Qeveria jonë nuk do të mbështesë më qendrat kulturore në mërgatë.
Siç është e njohur, Në Zvicër Qendra Kulturore është mbyllur më herët, kurse në Suedi dhe në Stamboll nga 1 Mars 2020 nuk kane drejtorë të Qendrave Kulturore te Kosoves dhe qeveria nuk ka ndare buxhet per aktivitetin e tyre dhe me këtë ato de facto janë të mbyllura pasi qe nuk kane aktivitete.
Një veprim i tillë, përpos që është i pakuptimt, ai është edhe tepër i dëmshëm dhe me pasoja të rënda për të ardhmen e mërgatës sonë. Madje vet Donika Gërvalla, minister e Jashtme dhe e Diasporës më mire se kushdoi tjetër e di rolin e këtyre aqendrave kulturore në mërgatë, andaj ajo e para do të duhej të refuzonte këto këshilla aspak të qëlluara.
Në vend se institucionet tona të fuqizojnë mbështetjen për këto themelata në diasporë dhe të inkurajojnë njerëzit tanë që nuk kanë kursyer asgjë që të jenë në shëbim të arsimit dhe kulturës shqiptare në shtetet e ndryshme, ato e bëjnë të kundërtën: Ministria e Diaspores së Kosovës u mbyll dhe iu bashkangjit Ministrisë së Jashtme, në Shqiperi u mbyll Ministria e Shtetit për Diasporen, Qendrat Kulturore të Kosoves qe i kishte Kosova ne Zvicer, Suedi dhe në Stamboll nuk jane funksionale që nga 1 Mars 2020. Dhe me këtë po shuajnë shpresat që rinia jonë e mërguar, sidomos kuadrot me diploma e ekspertësh, një ditë ta ndjejnë veten pjesë e proceseve politike, shoqërore e ekonomike në Kosovë.
Ata që e kanë këshilluar keq Ministrinë e Jashtme dhe të Diasporës që të mbyllen qendrat kulturore në megrim, i kanë bërë një shërbim shumë të dëmshëm çështjes sonë kombëtare, sidomos në ato shtete ku gjuha dhe arsimi shqip janë më të rrezikuar. Një shqiptar (ka kursant nga mosha 9 deri në moshën 83), bie fjala, në Stamboll, tash e tutje do të jetë i privuar nga mundësia e ndjekjes së kursit në gjuhës shqipe, për arsye se ndonjë burokrati në Prishtinë i është tekur që ta shuaj Qendrën Kulturore në Stamboll dhe për pasojë të mbyll një dritare ku Qamil Bytyçi për çdo ditë sillte frymën shqipe të gjuhës dhe kulturës sonë.
Edhe përkundër faktit se në rastin e Turqisë kemi marrëveshje bilaterale ndershtetërore për hapjen e qendrave kulturore ne këtë shtet dhe anasjelltas !
Ai ka tre vjet që nuk merr rrogë por mbi baza vullnetare vazhdon të jep mësim në ambientet e Qendres Kulturore të Kosoves dhe gjithandej në Stamboll ku ka shqiptarë duke bërë mijëra kilometra udhë.
Askush nuk do ta besonte para disa viteve se një ditë do të jemi dëshmitarë të lajmeve të tilla ku mërgata jonë do të trajtohet si një jetim që ka mbetur në mëshirën e burokratëve të pashpirt që dërgojnë këshilla të gabuara në Ministrinë e Jashtme dhe të Diasporës.
Prishtinë, 23 tetor 2022