KËSHILLTARËT E KADRI VESELIT, SIKUR PENELOPA E ODISEUT!

02 korrik 2019 | 11:57

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

 Rrobat e reja, me stof të vjetër dhe të rrëzbitur: Kryetari i Kuvendit dhe kryetari i rizgjedhur i PDK-së, Kadri Veseli, sa e mori, pa asnjë kundërshtim udhëheqjen e partisë edhe për një mandat tjetër, doli me një propozim, që në rrethanat e Kosovës mund të llogaritet si revolucionar: vendosjen e një standardi ligjor dhe moral për bartësit e pozitave të larta institucionale dhe partiake për anëtarët e partisë që po e drejton duke e pasur si violinë të parë, Hashim Thaçin, aktualisht president i Kosovës.

Të gjithë ata që kanë njohuri elementare nga muzika e kanë të qartë faktin se në një orkestër apo filarmoni, roli i violinës së parë është më i rëndësishëm se i vet dirigjentit për faktin se, nëse ka dëshirë mund t’ia bëjë punën lesh dirigjentit. Prandaj, në koncertin e Filarmonisë së Vjenës, në çdo 1 janar të vitit, dirigjenti gjithmonë i drejton duartrokitjet e publikut drejt violinës së parë që trajtohet në një rrafsh me dirigjentin. Kadri Veseli doli me një propozim se të gjithë ata që kanë aktakuza apo janë në një proces gjyqësor për korrupsion, krim të organizuar dhe nepotizëm duhet të dorëhiqen nga postet ose të shkarkohen. Për fat të mirë në PDK ka pak të tillë, nuk e kalojnë as 30 për qind e lidershipit.

Madje, nuk kam dëgjuar për as edhe një rast të vetëm kur filan politikani e ka bërë babanë president, nënën kryeministre, vajzën apo djalin ministër kurse, për lidhjet e tjera familjare të brezit të dytë e më larg, e pranoj arsyetimin e një ish-politikani të LDK-së kur pati deklaruar në mënyrë gjeniale se: “të gjithë në Kosovë janë daja dhe nipa apo në një lidhje tjetër familjare …”. Për këtë arsye nuk shoh nepotizëm, as te PDK-ja e as te subjektet e tjera politike në Kosovë. Të parët që u flijuan për të mirën e atdheut, kombit dhe partisë, ishin Besim Beqa, Agim Çeku dhe Njazi Kryeziu. Pas “pushkatimit” deklaruan se ishte marrëveshje brenda partisë të veprohet kështu e jo se ndiejnë përgjegjësi për veprat me të cilat ngarkohen. Më parë, ambasadorët e shteteve më të fuqishme kishin kërkesë për dekriminalizim të politikës kosovare duke kërkuar pikërisht këtë për të cilën po bën përpjekje ta bëjë Kadri Veseli sikur që edhe shoqëria civile e kishte po të njëjtën kërkesë, madje ishin më këmbëngulës për këtë se vetë ambasadorët. Mbështetur në të kaluarën, del se nuk ishin të gjithë ambasadorët të “virgjër” apo imunë ndaj korrupsionit; disa merrnin përqindje nga autostradat e ndërtuara në Kosovë , disa të tjerë shitnin viza, të tjerët kacavirreshin për Trepçën etj.

Kurse një pjesë e shoqërisë civile, ngushtë e lidhur me disa ambasadorë që e kishin humbur virgjinitetin në përballje me korrupsionin janë më të kriminalizuar se vet Al Kapone. Tash disa ambasadorë e patën një soft përkrahje apo përkrahje të qullët për këtë nismë e që i trimëroi “të viktimizuarit e mundshëm” ta kundërshtojnë me të gjitha mjetet këtë nismë. Shoqëria civile menjëherë, ende pa pasur kundërshtime nga PDK-ja, doli me qëndrim se Kadri Veseli po e bën këtë për poenë politikë dhe e ka filluar fushatën dhe, gati se nuk filluan të qajnë për Besim Beqën dhe Agim Çekun të cilët i kanë sulmuar natën dhe ditën, kurse Njazi Kryeziun as që e kanë njohur si peshk të madh. Bisturia e Kadrisë hyri thellë në mish, deri në kockë andaj, për shkak të dhimbjeve (politike dhe humbje të posteve), pati reagime të të fortëve brenda PDK-së. Reagoi Sokol Mali dhe Sami Drenica. Tash edhe Hajdaraga nuk po pajtohet duke e ofruar përgjegjësinë sipas shkallës së përshkallëzimit ku përfshihen disa vepra (të atyre që janë pa krahë), kurse jashtë menysë ndëshkimore mbesin disa vepra të tjera (të atyre që kanë krahë dhe që koçet i vendosin në tavolinë, në vend të argumenteve).

Sami Drenica tha se nuk ka bir nëne (sigurisht edhe babe) që e përjashton nga partia… Samiu e ka një burrni dhe, edhe në rast kur të rrahë, të rrahë burrërisht. Samiu ka luajtur një rol shumë pozitiv në Skenderaj ku e ka pamundësuar përshkallëzimin e situatës dhe për këtë vlerësohet. Samiu ka pasur shumë aktakuza dhe procese gjyqësore por, se të gjitha, deri më sot janë rrëzuar. Duket se Samiu në këtë botë nuk do të mbetet pa aktakuzë. Madje, flitet se kur prokurorët nuk kanë punë për të bërë apo e bëjnë një aktakuzë fillestare (për ta mësuar zanatin) thonë, bëjeni dhe kur kërkohet adresa, në mungesë të saj thonë: “Hajt, dërgojani Samiut…” se është mësuar me to. Tash kundër Kadrisë doli edhe “krijuesi i njerëzimit”, Adami e që, sipas një automatizmi, del të jetë edhe krijues i PDK-së e që ka logjikë për faktin se njerëzimi ishte krijuar para PDK-së.

Duket se nga një bri i Adamit është formuar njeriu, kurse nga një bri (pak më i butë i Ademit) është formuar PDK-ja. Edhe Xhabiri, në T7 doli kundër kryetarit dhe në mbrojtje të ligjit dhe shtetit të së drejtës. Ka të drejtë kur dihet se Xhabiri është nëna dhe baba i ligjit dhe i drejtësisë. Tash nuk po merrem fare me xhabirkat, adamkat dhe hashemitët, por se kam filluar të besoj se jam fare idiot, i ngarkuar me sindromën e Stokholmit e që nënkupton se, sa më shumë që na e ngulin, dhembshuria ndaj tyre bëhet më e madhe! Folëm pak për kasët dhe brutët kundër Kadrisë, por të shohim tani se kush është në përkrahje të kryetarit të PDK-së. Së pari u deklaruan Ilmiu dhe Dhurata.

Mirëpo, nëse i referohemi shkencës dhe fizikës, përkrahjen më të madhe e mori nga Ramiz Lladrovci për faktin se, sipas teorisë së Ramizit e që, shkenca deri më sot nuk e ka përgënjeshtruar, forca e bënë fuqinë. Forca Ramiz! Kurse, disa pllazmakeksa që i sillen vërdallë Kadrisë për të përfituar materialisht (në radhë të parë) dhe politikisht që është kusht për të parën nuk patën guxim, jo ta thonë se e përkrahin, por as shkronjën ‘p’ të përkrahjes. Madje, një nga ta ishte mbështetur për muri nga njëri nga përbetuesit e krasëve dhe brutëve dhe ndihej më në siklet para tij se Mic Sokoli para grykës së topit! Nuk është e rastit pse Albin Kurti e refuzon pllazmakeksin!

Kush janë 4 a 5 të fortit e PDK-së: Pas këtyre zhvillimeve që do t’i quaja historike (edhe një pordhë nëse e bëjmë e bëjmë historike), Samia doli me një deklaratë se ata nuk janë fajtorë, por se PDK-ja ka mbetur peng e 4 a 5 personave të fuqishëm që kontrollojnë gjyqësorin, prokurorinë, mediat, bizneset, financat dhe çdo gjë që ka peshë në Kosovë. Pasi Samiu nuk përmendi fare emra, filloi bastorja (ilegale) se kush mund të jenë këta. Shumica mendojnë, jo vetëm mendojnë, por janë të bindur se në këtë katërshe janë krerët apo themeluesit e PDK-së e që nuk është fare e vërtetë. Unë, si analist i spikatur, e që këtë ma ka pranuar familja ime e ngushtë (gruaja dhe dy djemtë), sikur edhe një fqinj që në kohën e analfabetizmit pati mësuar shkrim-lexim te mulla Rrustemi, kurse deri vonë ka qenë profesor universitar, menjëherë e kam pasur të qartë se kush janë katër a pesë të fortit e PDK-së: Arsimi, Besimi, Enveri dhe Ura(ka)ni!

Për të pestin kam dilema midis Hajredin Pashës dhe Bjondinë Trashes. Lëmshi filloi të shkatërrohet, ikën Arsimi dhe Besimi dhe po presim vazhdimin. Larg sheh Samiu. Largpamës apo vizionar, krejt je isto siç do të thoshin këta të Rahovecit apo doktorët e rrushit dhe të specit!

Si të ecet para, me këmbë të lidhura: Kadri Veseli me bisturinë (thikën kirurgjike) filloi të bëjë ndërhyrje të thella duke prerë thellë, deri te kokat e partisë! Se a e ka bërë këtë kokë më vete, nuk e kam të qartë. Dikush thotë se ndërkombëtarët po e përkrahin por, deri më sot del të jetë një përkrahje e lodhët që, më shumë po e dëmton shëndetin politik të Kadrisë se të “pacientëve”, disa prej të cilëve janë lëshuar nga spitali i quajtur PDK, si raste që nuk kanë shërim kurse, të tjerët kanë nxjerrë mësim, prandaj po e refuzojnë shërimin. Realisht, tash, në këtë situatë mund të lajmërohen ndërmjetësuesit apo ata që pajtojnë “gjaqe” duke ofruar kompromis midis palëve që, sipas tyre, kanë dallime demokratike, por se e kanë një të përbashkët patriotike. Siç po e shihni, lexues të nderuar, kam filluar t’i bëj hapat e parë në fushën e demagogjisë praktike.

Dikush do të bëjë përpjekje t’i bëjë bashkë krerët e PDK-së që, për hir të interesave kombëtare dhe shtetërore, t’i lënë pas shpine këto mosmarrëveshje teknike dhe ta bëjnë sakrificën e radhës në rrugën e shtetndërtimit apo shtetshkatërrimit, merreni si të doni dhe si t’ju pëlqejë. Nëse ndodhë kjo, humbësi më i madh do të jetë Kadri Veseli, kurse të tjerët do ta sigurojnë mbijetesën edhe për një kohë, jo shumë të gjatë. Kjo parti, nëse mbetet e tillë, nuk i duhet asgjë Kadri Veselit, as Hashim Thaçit, as Xhavitit, as Halitit, as Kamishit e as Allishverishit! Nëse vazhdon rrugëtimi i PDK-së në këtë formë dhe pa asnjë përmbajtje, AKR-ja do të mbetet parti lidere për PDK-në.

Më i fortë dhe më me ndikim po del i vetmi deputet i AKR-së, Lami, se të gjithë deputetët dhe deputetet e PDK-së. Le të mësojë PDK-ja nga AKR-ja se si fitohet pushteti dhe si shantazhohet shteti. Pas Nikolo Makiavelit, Behgjet Pacolli po del strategu më i fortë se si merret pushteti. Nëse deri më sot flitet për makiavelizmin, si mënyrë më joparimore dhe më e pandershme e marrjes së pushtetit me të gjitha mjetet, nga tash, krahas makiavelizmit apo filozofisë politike të marrjes së pushtetit me të gjitha mjetet (kryesisht të ndyra) do të flitet edhe për pacollizmim.

Për Kadri Veselin do të jetë shumë më mirë të largohet krejt edhe nga partia sepse, nëse pranon kompromis, do ta groposte përfundimisht, politikisht dhe moralisht! Nga përpjekjet për t’u bërë kirurg që shëron me prerje të thella dhe me rrënjë e heq mishin e keq, në rast të dorëzimit do të mbetej me bisturi (thikë kirurgjike) të kirurgut i cili, jo që nuk bënë ndërhyrje të thella, por vetëm aso sipërfaqësore, xherrah hesapi. Edhe xherrahi është kirurg, por që nuk e ka as përgjegjësinë e as lavdinë e kirurgut. Sot në Kosovë problemi më i vogël është të formoni parti: Milaim Zeka e formoi Partinë Euroatlantike që, përkthyer shqip nga fjalori politik i Oxfordit, i bie se Partia Euroatlantike është krahu politik i paktit NATO. Çka është Jens Stoltenberg për aleancën ushtarake të paktit NATO, Milaim Zeka është autoritet politik i paktit NATO.

Për këshilltarët e Kadri Veselit: Penelopa, gruaja e Odiseut, ka diçka të përbashkët me këshilltarët e Kadri Veselit, të dyja palët tjerrin lesh! Puna i bashkon, qëllimi i ndanë! Penelopa, pasi Odiseu u largua nga Itaka dhe se nuk dihej nëse ishte gjallë apo kishte vdekur, ishte në një hall të madh nga shkuesit. Ata e lakmonin si femër të bukur dhe si grua e një trimi dhe dijetari sikur që ishte Odiseu. Mirëpo, Penelopa e gjeti një mënyrë të përkryer t’i refuzonte ofertuesit për martesë, të qëndronte besnike ndaj burrit, por edhe të mos i ofendonte ata që e kërkonin dorën e saj.

Gjatë tërë kohës tirrte leshin, bënte fije të holla dhe thurte triko (xhemperë). Të gjithëve që kërkonin dorën e saj u thoshte se e pranon ofertën e tyre, por se duhet të presin derisa të përfundojë thurja e xhemperit e ajo thurje kurrë nuk përfundonte sepse në Itakë kishte shumë dele që prodhonin shumë lesh.

Shumë këshilltarë të Kadri Veselit tërë kohën tjerrin lesh, jo për ta gjetur fillin e problemeve, por për ta ngatërruar më shumë lëmshin. Përjashtuar 2-3 veta, tjetër punë nuk dinë të bëjnë përveç të tjerrin leshin, dje të Hashimit, sot të Kadrisë, nesër mbase të Mihrisë! Në çdo vend të botës këshilltarët duhen të jenë më të mençur se ai që i japin këshilla, ndërsa Kosova, si rast sui generis, e njeh të kundërtën që budallai bëhet këshilltar!

Këshilltari nuk duhet të dalë nga hija e shefit që e ka punësuar, duhet të jetë i padukshëm për publikun, por ndikues në opinion përmes atij që e këshillon. Këtu, disa këshilltarë të Kadri Veselit kur shkojnë në debate mundohen të bëhen më kadri se Kadria origjinal! Kur t’i sheh se si përhapen me duar dhe këmbë, nuk e keni të qartë se ai i keni dërguar në ndonjë meç të kikboksit apo në ndonjë kuvend zgjedhor të ndonjë dege apo nëndege të LDK-së.

Për disa këshilltarë të Kadri Veselit, dëmi më i vogël do të ishte t’i vendosni në listën për asistencë sociale apo t’i fusni në listën e veteranëve mashtrues. Në këtë mënyrë dëmi do të ishte vetëm material. I përballueshëm. Shumë mirë i ka punët Kadria çfarë këshilltarësh ka. Në mesin e tyre ka këshilltarë tipikë mercenarë që janë pjesërisht të dijshëm dhe injorantë të padijshëm, të denjë për serialin “Science for stupid” (Shkenca për të marrët)! Blerimit ia heq kapelën, për mendim dhe për lexim! Për shkak të temperaturave të larta, gjykimi më është mjegulluar, që nënkupton lirim nga çdo përgjegjësi!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka përshkruar…