Këshilltari i Haradinajt, Gazmend Syla, viziton qendrat korrektuese në Dubravë dhe Smrekonicë
Për dy ditë me radhë, një delegacion i Zyrës për Kategoritë e dala nga Lufta e UÇK-së, i kryesuar nga Gazmend Syla, këshilltar politik i Kryeministrit, kanë vizituar qendrat korrektuese në Smrekonicë dhe Dubravë.
Ata janë takuar me drejtorët e këtyre qendrave, z. Xhevdet Maqastena dhe z.Jeton Mehmetaj (u.d.), nga të cilët u njoftuan për mënyrën e funksionimit dhe sfidat në të cilat hasin këto qendra.
Në theks të veçantë, aty është diskutuar për pjesëtarët e kategorive të dala nga Lufta e UÇK-së, që janë në vuajtje të dënimit, sidomos të atyre që janë në gjendje të rëndë ekonomike.
Vlen të rikujtojmë se ZÇKL ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas, për trajtimin falas të këtyre kategorive.
Drejtorët e qendrave korrektuese, shprehën gatishmërinë e tyre për bashkëpunim, si dhe pranuan broshurat që janë botuar nga Zyra e Kryeministrit – ZÇKL, ku pjestarët e kategorive të lirisë që janë në vuajtje të dënimit, të informohen rreth mënyrës së çasjes në ndihmën juridike falas.
Këto kategori, do të respektohen gjithmonë në mënyrë të veçantë nga Qeveria Haradinaj, e të drejtat e tyre do të respektohen sipas ligjeve në fuqi. Për këtë u gjet pajtueshmëri e plotë më të dy drejtorët e qendrave korrektuese në Dubravë e Smrekonicë, të cilët njëkohësisht i kanë falënderuar për bashkëpunim.