Këshilltari i Bislimit ‘godet ‘zëdhënësin e BE-së: Ka gatishmëri për deklarata kundër Kosovës

04 maj 2023 | 17:09

Këshilltari për media i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, Klisman Kadiu, ka akuzuar zëdhënësin e Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano se ka gatishmëri maksimale për deklarata kundër Kosovës.

Kjo akuzë vjen pasi zëdhënësi i BE-së, ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për ta liruar nga detyra Ekipin Menaxhues, i cili ka hartuar draft-statut për Asociacionin, e shkel marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel.

Kadiu ka thënë se Stano ka treguar mungesë të njohurive për dialogun Kosovë – Serbi dhe konsideron se ky zyrtar evropian ka gatishmëri të flasë kundër Kosovës.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për ekipin menaxhues, nuk është në kundërshtim me marrëveshjen. Nga deklarata e zëdhënësit të BE-së, vihet re se ka minimum të njohurisë për atë që po zhvillohet në procesin e dialogut, por maksimum gatishmëri në nxjerrjen e deklaratave kundër Kosovës. Gatishmërinë e njëjtë, duhet ta ketë kur ka shkelje aktuale të marrëveshjes, si për shembull vota kundër e Serbisë në Këshillin e Evropës, për të cilën po gjendet në vështirësi kur përgjigjet. Apo edhe për shkeljet e tjera që Serbia po ia bën marrëveshjes”, ka shkruar Kadiu në “Facebook”.

Sipas Kadiut, detyra e vetme e Ekipit menaxhues ka qenë përgatitja dhe prezantimi i draftit të statutit.

“Pas këtij prezantimi, nuk ka më asnjë rol sepse diskutimi tashmë është politik”, ka shkruar ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Më në fund, qytetarët e kryeqytetit do të kenë Drejtorinë…