Këshilltari i Haradinajt: Jemi shumë afër në realizimin e kërkesave të PSD-së
Haki Shatri, këshilltar për ekonomi i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë me dije se janë shumë afër në realizimin e kërkesave të Partisë Socialdemokrate (PSD) për votimin e Projektligjit për buxhetin e vitit 2019.
Ai ka tërën se deri në periudhën e caktuar do të plotësohen kërkesat e Partisë Socialdemokrate që nënkupton edhe miratim të buxhetit për këtë vit.
“Është shumë afër që kërkesat e tyre (PSD-së), të realizohen. Këto kanë hyrë në rend dite me të njëjtën pako”, ka bërë me dije Shatri për “Radion Evropa e Lirë”.
Partia Socialdemokrate (PSD), e ka kushtëzuar votën me plotësimin e pesë kërkesave që i ka vënë Qeverisë së Kosovës. Ndër tjera ka kërkuar që krahas Projektbuxhetit, të miratohet edhe Ligji për pagat dhe të shkarkohet nga detyra ministri i Bujqësisë, Nenad Rikallo.
Kosova ka filluar vitin 2019 pa buxhetin e miratuar nga Kuvendi. Nga 2.3 miliardë euro sa parashihet buxheti i Kosovës, sipas projektimit aktual, shpenzimet për kategorinë paga dhe mëditje janë paraparë të jenë 616 milionë euro, kurse rreth 770 milionë euro për investime kapitale.