Këshilltari i Haradinajt reagon ndaj LV-së: Kosova ka borxhin publik më të vogël në rajon
Haki Shatri, këshilltar i kryeministrit Ramush Haradinaj, ka demantuar pohimet e Lëvizjes Vetëvendosje rreth rritjes së borxhit publik të Qeverisë Haradinaj, duke thënë se Kosova ka borxhin më të vogël publik nga të gjitha vendet e rajonit.
Lëvizja Vetëvendosje kishte deklaruar se Qeveria Haradinaj e ka rritur borxhin publik të vendit në 1.2 miliardë euro.
Shatri në reagimin se Kosova ka borxh publik vetëm 17 për qind të Bruto Produktit Vendor (GDP) që është ngarkesa më e vogël nga të gjitha vendet e rajonit.
“Në mandatin e kryeministrit Haradinaj, huaja publike nuk tejkalon parametrat e pranueshëm. Struktura e investimeve është e përcaktuar me buxhetet vjetore, përmes marrëveshjes me FMN-në /klauzola e investimeve, ku hyjnë investimet në hekurudhë, në infrastrukturë por edhe investimet në rrugë, si shembull rruga për Mitrovicë dhe pjesa e rrugës për Pejë/Kijevë -Zahaq e cila fillon në shtator”, është thënë në reagimin e këshilltarit të kryeministrit Haradinaj.
Shtari ka thënë se secila kredi shtetërore duhet të ratifikohet në Kuvend. “Nuk ka asgjë misterioze në shpenzimet dhe huat. Kriteret e FMN-së e lejojnë borxhin deri në 40 për qind të GDP. Është mirë që Lëvizja Vetëvendosje, para se të dalë me ‘fakte’ (shpifje) të bëjnë analiza të sakta. Nuk duhet që të mashtrohen qytetarët me manipulim të shifrave për qëllime politike. Faktet janë fakte, e ato tregojnë që zhvillimi ekonomik, si prioritet i Qeverisë ka dhënë rezultate të prekshme”, është thënë në reagimin e Shatrit.