Këshilltari i Kurtit në mediat serbe: Anëtarët e UÇK-së dyshohet se vranë 1 000 serbë
Radio Televizioni i Serbisë i ka dhënë jehonë të madhe deklaratës së këshilltarit të kryeministrit në detyrë Albin Kurti, Shkëlzen Gashi, sipas të cilit, anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dyshohen për vrasjen e 1 000 civilëve serbë. Media shtetërore serbe raportoi dje lidhur me komentet e Shkëlzen Gashit, këshilltar i kryeministrit në detyrë të Kosovës.
Komentet Gashi i dha dje në emisionin Frontal në T7.
RTS publikoi deklaratën e Gashit, sipas të cilit, Dick Marty nuk është anti shqiptar.
“Krimet janë kryer nga anëtarët e armatosur të UÇK-së kundër civilëve serbë”, citon RTS Gashin.
Gjykata Speciale për Krime Lufte në Kosovë pritet t’i hetojë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që, siç thuhet, ‘i kanë kryer ndaj pjesëtarëve të komuniteteve pakicë dhe kundërshtarëve politikë nga viti 1998 e deri në fund të vitit 2000’, siç e ka përshkruar në raportin e tij për Këshillin Evropian senatori Dick Marty, vazhdon artikulli.
Pretendimet e tilla të Gashit kanë ngjallur reagime të shumta nga ish-ushtarë të UÇK-së dhe anëtarë të partisë nga e cila vjen Albin Kurti. Ata kërkojnë shkarkimin e menjëhershëm të Gashit nga ana e Kurtit.