Këshilltari i Kurtit paralajmëron padi për shpifje ndaj Haradinajt
Këshilltari i Albin Kurtit, Luan Dalipi, ka paralajmëruar padi për shpifje ndaj kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili mbrëmë ka thënë se “Dalipi është një njeri i akuzuar për korrupsion, madje i ka tri shtëpi në lagjen ‘Marigona’ dhe se dy prej tyre janë të Kurtit”.
Arsyeja për padi, ka thënë Dalipi, është deklarata më lart e Haradinajt për të. “Ramushi ka shpif dy herë ndaj meje. Shpifja e parë është se unë jam i akuzuar dhe gjykuar nga BE-ja. Kjo është gënjeshtër. Sa për informim, aktakuza që po i referohet Ramushi nuk ka qenë për korrupsion si dhe është rrëzuar para hyrjes në shqyrtim gjyqësor, rrjedhimisht nuk është konfirmuar aktakuza. Kjo aktakuzë ishte ngritur përkundër konstatimit paraprak zyrtar të agjencisë relevante të Komisionit Evropian se nuk është gjetur asnjë dëshmi për parregullsi për çështjen”, ka thënë Dalipi.
“Shpifja e dytë se unë jam pronar i tri shtëpive në lagjen Marigona, edhe kjo është gënjeshtër. E kam vetëm një shtëpi. Pasuria ime është e deklaruar në organet kompetente. Mburrem me arritjet e mia në sektorin privat (mbi 20 vjet punë në Kosovë dhe ShBA). Të gjitha të hyrat janë të audituara nga shteti dhe kompanitë e auditimit. Mua nuk më vjen marre nga pasuria, sepse e kam fitu me punë, mendje dhe trashëgimi. Veç e kam njoftuar Ramushin se do ta padisë për këto shpifje”, shkruan ai.