Këshilltari i Lajçakut: Mospajtimet s’janë dëshmi që emisari është në anën e Serbisë
Christian Ramet, këshilltar i emisarit evropian për dialogun Kosovë-Serbi, ka thënë se Bashkimi Evropian (BE) është duke u kërkuar palëve që të fillojnë pa vonesë zbatimin e marrëveshjes së Ohrit dhe të gjitha marrëveshjeve të tjera të arritura.
Këto komente, ai i ka bërë në Samitin e Paqes dhe Demokracisë, që po mbahet në Prishtinë.
Ai ka thënë se në këtë kohë krizash sidomos pas luftës në Ukrainë është koha për zgjerimin e BE-së.
“Agresioni rus mbi Ukrainë na ka treguar se është koha për zgjerimin e BE-së. Kur të implementohet marrëveshja e Ohrit, do të hapen mundësi që nuk kanë qenë më herët dhe do të ketë benefite për Kosovën. Kjo besoj që është arritja me e madhe e dialogut deri më tani. Por duhet të fillojë implementimi i marrëveshjes dhe aneksit”.
“Marrëveshja ka ndodhur qe tre muaj dhe nuk ka ndodhur asnjë progres. Shumë potencial ka humbur në menaxhimin e krizës dhe uljes së tensioneve. Kur ka tensione nuk ka hapësirë për dialog dhe normalizim. Ajo që BE pret është implementimi, sigurisht. BE-ja u kërkon palëve që të fillojnë pa vonesë zbatimin dhe të gjitha marrëveshjet e tjera”, ka thënë ai.
Deklaratën e tij e ka mbështetur edhe Cynthia Cook, nga Ambasada Amerikane në Kosovë, e cila ka thënë se ShBA-ja është mbështetësi më i madh i Kosovës, raporton “EO”.
Madje sipas saj, Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet që të formohet ngase është zotim i dhënë.
“ShBA-ja është mbështetësi më i madh i Kosovës. Duam ta shohim Kosovën në NATO dhe rruga e vetme është dialogu”.
“Asociacioni duhet të ndodhë. Në këtë mënyrë, Kosova do ta hapte gjithë potencialin që ka. Ka njerëz shumë të mençur në këtë vend që po bëjnë pune të mirë”, ka thënë ai.