Këshilltari i Pacollit i reagon zëdhënësit të qeverisë

01 maj 2020 | 13:46

Këshilltari i presidentit të AKR-së dhe deputetit të Kuvendit të Kosovës, Behgjet Pacolli, Jetlir Zyberaj,  ka reaguar deklaratës së fundit të zëdhënësit të qeverisë, Përparim Kryeziu, në lidhje me deklaratën e djeshme të Pacollit për “akt terroristik nga ana e shtetit”.

Zyberaj ka thënë se Pacolli ishte përballur me agresion verbal të nisur nga qeveria Kurti, dhe sipas tij një klimë e tillë fashizmi verbal është parathënia e çdo akti terrorist të mundshëm.

“I vetëdijshëm pse deklarimet e tij mund të cenojnë imazhin e shtetit të Kosovës, zotëri Pacolli mund të tërheqë atë çfarë tha. Mirëpo a do ta bëjnë këtë me parë, kryeministri dhe u.d i ministrit te Punëve të Brendshme?!”, ka shkruar Zyberaj në llogarinë e vet në “Facebook”.

Postimi i plotë i Zyberajt:

Në lidhje me qëndrimin e zëdhënësit të qeverisë z. Përparim Kryeziu:

E vlerësoj si shumë të matur dhe njëlloj kërkimi ndjese, deklarimin e zëdhënësit të qeverisë Kryeziu.

Etika e tij është ku e ku në raport me agresionin verbal, kërcënimin,frikësimin në mesazhet e shefit të tij, apo zëvendësministrit të brendshëm, ndaj zotit Pacolli.

Pikërisht ai agresion verbal i nisur nga lart nxiti si rregullisht ushtrinë e mijëra kërcënuesve me apo pa emër në rrjetet sociale apo dhe në forma të tjera, që të bëjnë thirrje të hapura për vrasje, linçim, të zotit Behgjet Pacolli, fëmijëve të tij, etj.

Një klimë e tillë fashizmi verbal, por jo vetëm verbal, frymëzuar me vetëdije apo pa vetëdije nga kreu i qeverisë është parathënia e çdo akti terrorist të mundshëm, siç analizon stafi i sigurisë së zotëri Pacollit, shto këtu dhe informacionet që ata marrin nga drejtime të ndryshme.

Kërcënime si ato për të cilën prokuroria u mobilizua në ndihmë të zotit Kurti para pak javësh, zotëri Pacolli merr me qindra dhe mijëra dhe klima e krijuar ndaj tij me thirrjet agresive të personalizuara të kreut të qeverisë prodhoi edhe më shumë kërcënime. Është në natyrën njerëzore që i gjendur para një dhune të tillë verbale nga njerëzit e pushtetit dhe falangat fashiste që i bëjnë jehonë atyre, të frikësohesh për fatin e familjes, për më shumë kur vjen nga një izolim dy mujor.

Në shumë kuptime, deklarimi i zotit Kryeziu është kërkesë falje ndaj zotit Pacolli.

Shefi i tij apo zotëri Sveçla edhe pasi e mësuan lokacionin e zotëri Pacollit, pasi dolën blof me deklarimet e mëparshme të tyre, thjesht po kërkojnë me gojën e zotëri Kryeziut diçka që zoti Pacolli kurrë nuk e ka kontestuar.

Kurrë ai nuk ka thënë se kërkon trajtim të mëvetshëm, apo shkelje të rregullave (jo ligjore megjithatë) në lidhje me karantinën. Kurrë ai nuk ka kërkuar përjashtime .

Është kryeministri dhe ministri i tij në detyrë që donin të bënin përjashtime duke kërcënuar me arrestim një ish president, një ish ministër të jashtëm dhe një deputet të Republikës.

Deklarimi i zotit Kryeziu në lidhje me kufijtë e veprimit dhe deklarimit opozitar sot është një kërkesë ndjese në emër të partisë në pushtet, në emër të shefit të tij, për tejkalimin e këtyre kufijve në të shkuarën jo shumë të largët. Këto kufij ishin të tmerrshëm dhe zoti Kryeziu nuk e ka fjalën për to me siguri kur i jep këshilla zotit Pacolli: në sallën e parlamentit në prani të grave shtatzëna, të sëmurëve kronikë, përdorej gaz lotsjellës; kur ndaj institucioneve apo dhe ndaj shtëpisë së kryeministrit të kohës qëllohej me bomba molotovi. Sigurisht zotëri Pacolli nuk ka kurrë ndërmend të ndjekë këshilla të tilla.

I vetëdijshëm pse deklarimet e tij mund të cenojnë imazhin e shtetit të Kosovës, zotëri Pacolli mund të tërheqë atë çfarë tha. Mirëpo a do ta bëjnë këtë me parë, kryeministri dhe u.d i ministrit te Punëve të Brendshme?!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Transportuesi irlandez me kosto të ulët, "Ryanair" paralajmëroi se mund…