Këshilltari i Peresit dhe Carterit që u shpëtua nga shqiptarët gjatë Holokaustit
Profesori dhe konsulenti i menaxhimit i lindur në Serbi, hebreu Ichak Kalderon Adizes, është zotuar t’i nderojë dy vëllezër shqiptarë me titullin “Të drejtët mes kombeve”, për shpëtimin e tij dhe të familjes së tij gjatë Holokaustit, raporton “Jewish News”, transmeton Telegrafi.
Për shumë vjet Adizes besonte se vëllezërit e askush tjetër në fshat nuk e dinin se kjo familje ishte hebraike. Natyrisht, prindërit e tij e ruanin këtë pretendim duke u thënë mbrojtësve se janë “myslimanë boshnjakë” e se kanë tradita të ndryshme lutjeje nga ta.
Gjatë muajit të Ramazanit, babai i Adizesit – shtatëvjeçar atë kohë – e detyronte atë të ngjitej lart në shtëpinë ku jetonin, në mënyrë që familja e tij të mund të hante. Nëse dëgjonte ndonjë lëvizje nga vëllezërit Brahimi, duhej të hidhej lart e poshtë për të paralajmëruar prindërit. Dihet se besimtarët që e praktikojnë islamin nuk hanë gjatë Ramazanit, pos në iftar ose syfyr.
Sidoqoftë, në vitin 1996, një televizion izraelit e dërgoi Adizeun dhe babanë e tij në Shqipëri për të ndjekur gjurmët e fshehjes dhe ikjes, dhe, për mrekulli, takohen me vëllezërit Brahimi dhe kushërinjtë e tyre.
Gjatë xhirimeve të dokumentarit “Unë dua të kujtoj, ai dëshiron të harrojë”, u bë e qartë se askush në fshat nuk e kishte besuar asnjë prej historive të Adizesëve për veten e tyre. Babai i Adizesit, Salamon (Moni) Adizes, ishte personazh i shkëlqyeshëm që kishte vepruar si mjek gjatë kohës së qëndrimit në fshat. Metoda e tij standarde e trajtimit ishte të përshkruante një kohë që duhet kaluar në ajër të pastër dhe me diell megjithëse, herë pas here – siç shkruan Adizes në kujtimet e tij – bënte operacione të vogla dhe ndihmonte në lindjen e fëmijëve.
Por, gjatë xhirimeve të dokumentarit, vëllezërit Brahimi deklaruan se e kishin ditur gjatë gjithë kohës se janë hebrenj, siç e dinte kadiu apo hoxha që i kishte dërguar në fshat. Ata gjithashtu e dinin se Moni nuk ishte mjek – në jetën reale ishte disleksik dhe pothuajse analfabet – por e lejuan të vazhdonte me pretendimin e tij.
Pas luftës familja u zhvendos në Izrael, ku Ichaku ishte në Forcat Mbrojtëse. Moni nisi të punojë në portin e Haifës. Ichaku kishte mësuar të luante në harmonikë dhe i “armatosur” me këtë instrument – dhe me 50 dollarë në xhep – u largua nga Izraeli për në Amerikë ku e nisi një karrierë të shkëlqyer në biznes dhe këshillim.
Gjatë viteve, prej një fillimi të vështirë u bë këshilltar i kryeministrave dhe presidentëve, përfshirë Shimon Peresin dhe Jimmy Carterin. I shkroi kujtimet e tij gjatë një periudhe prej 15 vjeçare. Thotë se ishte shumë e vështirë për të për të shkruar, por edhe diçka “shumë terapeutike”, meqë e kuptoi se babai i tij “ishte figurë tragjike … nuk dinte të lexonte apo të shkruante dhe të gjithë e përulnin. I vetmi unë isha ai mbi të cilin kishte autoritet. Kështu që të gjitha zhgënjimet e tij ranë mbi supet e mia. Por, unë e fal atë”. “Moni Adizes”, thotë djali i tij, “harroi se ishte hebre që fshihej nga nazistët. Teksa për ne kjo ishte koha më e keqe në jetë, për të ishte koha më e mirë sepse për herë të parë ishte dikush që ka rëndësi”.
Është një numër relativisht i vogël shqiptarësh të nderuar nga “Yad Vashemi”, për shpëtimin e hebrenjve gjatë Holokaustit. Më 2015 u bë emërimi i fundit te “Të drejtët mes kombeve”. Adizes pranon sot se ka “dështuar” në emërimin e vëllezërve Brahimi më 1996, duke thënë se dokumentet e kërkuara e kishin mundur. Por, sot, në moshën 85-vjeçare, thotë se do të provojë përsëri dhe do të shkojë në “Yad Vashem” në prill (ka një shtëpi në Izrael dhe një në Santa Barbara të Kalifornisë) për t’i dhënë dëshmitë përkatëse.
Si autor libri (që do të botohet më vonë gjatë këtij viti), Adizes ende luan dhe zotëron tri instrumente, megjithëse insiston se një nga djemtë e tij muzikant luan shumë më mirë se ai. Por, është harmonika ajo që e mbajti gjallë gjatë viteve të hershme të tij në Shtetet e Bashkuara, duke luajtur në cepat e rrugëve dhe në restorante për ndonjë bakshish, ndërkohë që shkonte në universitet. Mesazhi i tij qendror në libër është: “Atë që e synon, ajo do të ndodhë”. Buzëqesh teksa thotë se nga babai i tij e ka thënien “kërcej, ndaj i bëj gjërat të ndodhin”.
Specialisti i Holokaustit dhe gjenocidit, Stephen Smith, ka thënë: “Mbijetesa e familjes Adizes është një nga më të pazakontat që kam dokumentuar. Janë pak të njohura historitë e hebrenjve sefardi në Ballkan, të cilët katërqind e pesëdhjetë vjet pas inkuizicionit spanjoll iu nënshtruan Zgjidhjes Përfundimtare naziste. Është frymëzues guximi i familjeve myslimane që u futën në rreziqe të mëdha për jetët e tyre, për t’i dhënë siguri familjes Adizes. ‘Yad Vashem’ ka standarde të rrepta për ata që njihen si ‘Të drejtët mes kombeve’. Shpresoj që familja që i dha strehë familjes Azides do të njihet për gjithçka që bënë për t’ia dhënë kësaj shansin kësaj familjeje për të mbijetuar dhe për të përparuar”.