Këshilltari i presidentit: Kurti s’është më as kryeministër në detyrë
Këshilltari i presidentit, Adil Behramaj, ka thënë se Albin Kurti nuk është më as kryeministër në detyrë.
Ai ka shkruar se paaftësia e tij e çoi drejt dezertimit, duke ia dorëzuar vendimmarrjen Arben Vitisë.
Shkrimi i tij:
Albin Kurti nuk është më as kryeministër në detyrë. Atë paaftësia prapë e çoi drejt dezertimit, duke ia dorëzuar vendimmarrjen Arben Vitisë, të cilin e ka shndërruar në infermier politik të tij. Tash i pushtuari nga dëliri i madhështisë po infuzionohet politikisht me grimcat në rënie e sipër të reputacionit si profesionist të ministrit të tij.
Ishte aq shumë i zënë në luftimin e pandemisë si kryeministër në detyrë, saqë tërë luftën tash e zbriti në nivel të ministrisë, deri sa betejën e vërtetë janë duke e bërë krejtësisht mantelbardhët me mbështetjen e policisë.
Kur presidenti kërkonte që të shpallej Gjendja e Jashtëzakonshme, Albin Kurti kishte gjetur strehë në paranojën e tij dhe nga aty gjykonte se ishte e paarsyeshme, e palogjikshme, e panevojshme dhe e padobishme. Madje, minimalisht edhe dy herë kishte bërë shkelje kushtetuese dhe ligjore, duke mos e thirrur mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, pas kërkesave të presidentit për t’u koordinuar rreth dekretit dhe masave për shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme. Saktësisht, Kurti kishte shkelur nenin 127, paragrafin 3 të Kushtetutës së Kosovës dhe nenin 5, paragrafin 5.4 të Ligjit për themelimin e Këshillit të Sigurisë, që e obligojnë t’i thërrasë takimet e Këshillit të Sigurisë nëse i kërkon presidenti.
Ky kryeministër i papërgjegjshëm nuk e meriton të amnistohet për asnjë shkelje. Por, për të mos i dhënë rast që ta politizonte edhe më shumë pandeminë dhe të luante politikisht me jetën e qytetarëve, kështu siç po luan tash edhe me ezanin duke e shfrytëzuar pamëshirshëm për qëllime politike, është lënë që ta bënte punën që deri dje thoshte se me të ishte shumë i zënë.
Tash dezertoi edhe nga luftimi i pandemisë si kryeministër në detyrë dhe më nuk është i zënë as me punë, duke përjashtuar këtu punën e shkarkim/ngarkimeve politike. Por, ai do të jetë i zënë ngushtë nga qytetarët që po kërkojnë përgjegjësi për veprimet e papërgjegjshme të tij!