Këshilltari i Thaçit: Kurti kundërshtoi presidentët amerikanë
Artan Behrami, këshilltar i presidentit të Kosovës, në rrjetin e tij në Facebook ka shkruar se po të ishte sot President i SHBA-së edhe Bill Clinton, qëndrimi i Qeverisë Kurti do të ishte ekzaktë i njëjtë me qëndrimin e sotshëm.
“Pajtohem me shumë njerëz që Kurti nuk e ka asnjë problemin me ambasadorin Grenell dhe as me Presidentin Trump. Ai thjesht nuk e duron Amerikën! Lista e amerikanëve që Kurti i ka kundërshtuar është e gjatë sa këtu e në Shkup!”, ka shkruar ai, duke postuar fotografi të amerikanëve që Kurti i ka kundërshtuar në dy dekadat e fundit.
Postimi i plotë i Behramit:
“VV-ja, dy dekada traditë antiamerikane
Po të ishte sot President i SHBA-së edhe Bill Clinton, qëndrimi i Qeverisë Kurti do të ishte ekzaktë i njëjtë me qëndrimin e sotshëm. Pajtohem me shumë njerëz që Kurti nuk e ka asnjë problemin me ambasadorin Grenell dhe as me Presidentin Trump. Ai thjesht nuk e duron Amerikën! Lista e amerikanëve që Kurti i ka kundërshtuar është e gjatë sa këtu e në Shkup!
Në viti 1999, kur u mbajt konferenca e Parisit dhe Rambujesë, Kurti i doli kundër Presidentit të SHBA-së, Bill Clinton, sekretares Madeleine Albright, ambasadorëve Richard Holbrooke dhe Christopher Hill!
Gjatë viteve 2006, 2007 dhe 2008, Kurti përmes protestave të dhunshme i shpalli tradhtarë të gjithë anëtarët e delegacionit, pjesëmarrës në negociatat për statusin e Kosovës. Ai doli hapur kundër presidentit George Bush, sekretares Condoleezza Rice dhe ambasadorit Frank Wiesner, i cili ishte i dërguari i Amerikës në negociata. “Po e negociojnë autonominë nën Serbi”, kishte thënë Kurti më 2007. Por, më 17 shkurt ndodhi e kundërta. Kosova u shpall e pavarur.
Në vitin 2013, ai ishte kundër marrëveshjes së arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke dalë kështu edhe kundër presidentit Barack Obama dhe sekretares Hillary Clinton”, ka shkruar Behrami.