Këshilltari i Thaçit përplaset me eurodeputeten gjermane
Artan Behrami, këshilltar i presidentit të Kosovës, është përplasur ashpër me raportuesen gjermane për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon Taubadel.
Reagimin e ashpër të Behramit e ka nxitur një qëndrim i djeshëm i eurodeputetes gjermane e cila i bënte thirrje presidentit të vendit që të mos luajë me Kushtetutën e Kosovës në kohën e pandemisë COVID 19 dhe që të mendojë dy herë përpara se të marrë vendim për shkarkimin e qeverisë Kurti.
Behrami i ka thënë politikanes gjermane se askush nga Bashkimi Evropian s’ka reaguar kur Kuvendi i Kosovës mbulohej me tym e gaz lotsjellës, derisa i ka thënë eurodeputetes se është hedhur në histeri, pas votimit të mocionit të LDK-së që rrëzoi Albin Kurtin nga pushteti.
Këshilltari i Thaçit më tutje ka thënë se është e turpshme se si von Cramon Taubadel anon nga njëra palë.
Pa reaguar pas akuzave të këshilltarit të Thaçit nuk ka qëndruar eurodeputetja, e cila i ka bërë thirrje Behramit që të ketë kujdes për fjalët që përdor në një debat të zakonshëm.
“Liria e mendimit është “histeri”? Interpretim shumë interesant në një debat të zakonshëm. Sigurohuni që po i përdorni kujdesshëm fjalët tuaja zotëri”, ia ka kthyer eurodeputetja gjermane.
Behrami nuk është ndalur dhe ia ka kthyer përsëri eurodeputetes gjermane, duke e akuzuar për shpërndarje të lajmeve të rreme dhe përhapjes së panikut. Sipas këshilltarit të Thaçit, ajo duhet të ketë përgjegjësi edhe për shprehjen e opinionit.
Këshilltari i presidentit ka thënë se edhe 82 deputetët që kanë votuar për rrëzimin e Albin Kurtit kanë të drejtën e tyre për t’u shprehur lirshëm, ndërkohë që e ka pyetur eurodeputeten gjermane nëse asaj i intereson vetëm Albin Kurti.
“Të menduarit lirshëm ka një përgjegjësi. Ju keni shpërndarë lajme të rreme, histeri dhe panik duke abuzuar me rolin tuaj si deputete e Parlamentit Evropian, duke sulmuar deputetët e zgjedhur në mënyrë demokratike. A nuk është vendimi i tyre liri e shprehjes? A kujdeseni për perspektivën e tyre, apo ju intereson vetëm Albin Kurti”, ka shkruar Behrami.
Viola von Cramon Taubadel ndërkohë i ka kërkuar Behramit që t’i tregojë opinionit të gjerë se në cilin rast ka shpërndarë “lajme të rreme”.