Këshilltari i Trumpit: Nuk mund ta kontrollojmë pandeminë
Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk mund ta kontrollojnë dot pandeminë. Kështu ka thënë shefi i Stafit të Shtëpisë së Bardhë, këshilltari i presidentit të ShBA-së, Mark Meadows, duke shtuar se vetëm vaksina mund ta bëjë këtë.
Në një intervistë për “CNN”, Meadows ka thënë se të kontrollosh koronavirusin nuk është një qëllim realist, pasi “është një virus ngjitës si gripi”.
Pas kësaj deklarate, kandidati demokrat për president, Joe Biden, ka thënë se Shtëpia e Bardhë është dorëzuar tashmë.
“Komentet e z. Meadows tregojnë se administrata Trump ka hequr dorë nga detyra bazike e mbrojtjes së popullit amerikan”, është thënë në komunikatën e stafit të Bidenit.
Që nga nisja e pandemisë, kanë vdekur 225 000 amerikanë, shifër kjo më e lartë se e çdo vendi tjetër.