Debati për korrigjim të kufijve po fryhet tepër (Video)
Ish-këshilltari i presidentit Hashim Thaçi, tani këshilltar i kryeparlamentarit Kadri Veseli, Adri Nurellari, ka thënë se debati rreth idesë për korrigjim e kufijve është duke u fryrë se tepërmi.
“Po të dëgjosh deklaratën e Thaçit, duket që do të bëhet një marrëveshje mes Serbisë dhe me Vuçiqin, ku Kosova do të marrë, por nuk do të humbë. Madje Thaçi ka shkuar deri atje sa ka thënë që edhe nëse marrëveshja nuk realizohet, ai ka një plan B që qëndron vetëm në kokën e tij”, ka thënë Nurellari.
Sipas tij, Kosova është duke përmbushur marrëveshjet e nënshkruara me Serbinë dhe se veriu i saj është i përfshirë në jetën politike e institucionale të vendit.
Në këtë kontekst, ai ka thënë se është iluzion të mendohet që drejtuesit e saj po kërkojnë kthim mbrapa.
“Për t’i vënë fre një përpjekjeje që po bën pala serbe për të përfshirë si pjesë të dialogut shkëputjen e një territori të Kosovës. Ajo kërkon që të bëhet presion ndaj Beogradit që ta pranojë Kosovën kështu siç është”, ka thënë Nurellari.
Ndërsa për analistin Andi Bushati presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka diçka që po e mban në errësirë.
“Qëndrimeve të Thaçit u duhet thënë një jo e prerë. Duket sikur e gjithë klasa politike sot në Kosovë dhe Shqipëri është në terr të plotë dhe Hashim Thaçi hedh pak nga pak ndonjë copëz për të bërë komunikimin e tij me publikun. Ne nuk mund të përfshihemi në një proces të tillë pa ditur se deri ku mund të shkohet dhe pa vendosur kornizat e kuqe se deri ku mund të negociohet”, ka thënë Bushati. (Top Channel).