Këshilltari i Zelenskyit mohon pretendimet se Vuçiçi ka ofruar armë Ukrainës për mosnjohje të Kosovës
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, në ditën kur presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç takoi homologun e tij nga Ukraina, Volodomyr Zelensky-in, pretendoi se Vuçiç-i ka ofruar armë Zelensky-it në këmbim të mosnjohjes së Kosovës.
Megjithatë një supozim të tillë të eurodeputetes e ka mohuar në mënyrë kategorike këshilltari i Zelensky-it, Mihail Podolyak.
“Sigurisht që nuk ka asnjë të vërtetë në këtë, është spekulim”, i ka thënë Podolyak fillimisht mediumit opozitar serb, N1.
Podolyak e ka cilësuar si takim të rëndësishëm takimin në mes të Vuçiç-it dhe Zelensky-it në Athinë duke shtuar se nevojitet komunikim në të gjitha nivelet në atë mënyrë për të kuptuar pozicionet e njëri-tjetrit.
Ai ka theksuar gjithashtu se Ukraina është transparente në mënyrën se si janë armatosur trupat e saj.
“Gjithçka që lidhet me furnizimin me armë diskutohet në njoftimet zyrtare. Kjo vlen edhe për atë se kush e dërgon municion”, shpjegoi Podolyak.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, të martën në mëngjes e takoi homologun e tij nga Serbia, Aleksandër Vuçiç-in, i cili nuk po pranon t’i bashkohet sanksioneve të botës perëndimore kundër Rusisë pas agresionit të kësaj të fundit në Ukrainë.
Megjithatë, Zelensky takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, e ka cilësuar si të sinqertë të hapur dhe frytdhënës.
Takimin mes tij dhe Zelensky-it fillimisht e kumtoi vetë Vuçiç, i cili në një konferencë për media tha se përshtypja e tij pas bisedës me presidentin e Ukrainës është se Kievi zyrtar nuk do të ketë ndonjë ndryshim pozicioni në raport me pavarësinë e Kosovës.
“Ia shpjegova situatën në lidhje me Kosovën. Nuk mendoj se do të ketë ndonjë ndryshim në qëndrimin e Ukrainës në lidhje me integritetin tonë territorial. Ne e mbështetëm Ukrainën në rrugën e saj evropiane”, tha Vuçiç duke shtuar se “ajo që unë mendoj është më shumë se të menduarit, jam pothuajse i bindur se nuk do të ketë asnjë ndryshim”.
Ndonëse Zelensky nuk foli fare për çështjen e Kosovës ai lëshoi një deklaratë problematike në kontekstin e Kosovës kur tha se me Vuçiç ka pasur bisedë të mirë për respektimin e Kartës së OKB-së dhe paprekshmërinë e kufijve.
“Një takim i hapur, i sinqertë dhe frytdhënës me Presidentin e Serbisë. Bisedë e mirë për respektimin e Kartës së OKB-së dhe paprekshmërinë e kufijve. Për të ardhmen e përbashkët të kombeve tona në shtëpinë e përbashkët evropiane. Për zhvillimin e marrëdhënieve tona, kjo është në interesin tonë të përbashkët”, ka shkruar Zelensky në llogarinë e tij në platformën e ri-emëruar rishtazi X.