Këshilltari më i ri i Kurtit ishte kundër pavarësisë së Kosovës
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar dje këshilltar të vetin dhe udhëheqës të Zyrës për Çështje të Komuniteteve, Cvetko Veljkoviç. Për të nuk u dhanë shumë detaje, përveç se u tha se është ekonomist me profesion dhe vjen nga Shtërpca. Megjithatë, më vonë u pa se ndër vite ai kishte bërë jo rrallëherë thirrje nacionaliste kundër shqiptarëve. Në qeveri kanë folur për Gazetën Express, derisa Veljkoviç është lajmëruar përmes një shkrimi në rrjete sociale.
Jo rrallëherë kishte bërë thirrje nacionaliste kundër shqiptarëve.
Këshilltari më i ri i kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurtit, thoshte se Kosova është pjesë e Serbisë, bombardimet e NATO-s ishin gabim e, po ashtu, edhe njohjet e reja.
Mirëpo, Veljkoviç, që ka treguar simpatinë e tij për njërin nga gjeneralët më famëkeq të Serbisë, Ratko Mladiç, me sa duket ka premtuar për ndërrim të qëndrimeve, kur i është ofruar një post i rëndësishëm në këtë qeveri.
Gazeta Express dje gjatë ditës ka dërguar pyetje në zyrën e kryeministrit në detyrë, për të parë nëse janë në dijeni për këto qëndrime të këshilltarit të Kurtit, e nëse të njëjtat janë të mjaftueshme për ta shqyrtuar vazhdimin e punës së tij në këtë institucion.
Qeveria ka bërë me dije se pas lajmeve që janë publikuar në media, Veljkoviç ka thënë se është i kënaqur që është pjesë e ndryshimeve, e se ata kanë qenë të njoftuar vetëm për ndryshimet në bindjet e tij. “Për qartësim të opinionit publik, z. Velkoviç në llogarinë e vet në ‘Facebook’ ka publikuar një status në të cilin ka deklaruar se ai është i kënaqur qe është bërë pjesë e ndryshimeve dhe në të njëjtën kohë ka bërë thirrje te të gjithë që të bëhen pjese e këtyre ndryshimeve pozitive. Për ndryshimet në bindjet e tij ne kemi qenë të informuar”, ka thënë për Express zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
Vetë Veljkoviç përmes një statusi në “Facebook” ka shkruar se ka nderin që është emëruar këshilltar i Kurtit dhe drejtor në Zyrën për Komunitete. Ai ka thënë se në pozicionin në të cilin është emëruar do të jetë edhe më i përkushtuar në të mirë të njerëzve në Serbi.
“Unë kërkoj nga të gjithë ju, cilindo komb të jeni, të jeni pjesë e ndryshimeve pozitive dhe fillimit të përparimit të popullit tonë”, ka shkruar ai, pa kërkuar falje apo pa u distancuar nga qëndrimet e mëparshme.
Veljkoviç e ka zëvendësuar si këshilltar të kryeministrit Nenad Rashiqin, pasi ky i fundit dha dorëheqje nga pozitat që mbante në qeveri pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale.