Këshilltarja e Kurtit, Pacollit: Nuk po të ndalon të vish në Kosovë, por respekto rregullat
Furtuna Sheremeti, këshilltare e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i ka reaguar kryetarit të AKR-së, Behgjet Pacolli, pas deklaratës së tij se ajo nuk ka njohuri rreth demokracisë parlamentare.
“Z. Pacolli kam më tepër njohuri se që duhet për të përsëritur se rregullat e vëna gjatë kohës së Covid-19 janë dhe duhet të vlejnë njësoj për të gjithë”.
“Askush nuk po të ndalon që të vish në Kosovë. Ne vetëm po kërkojmë nga ju që t’i respektoni rregullat e karantinës sikur të gjithë të tjerët”, ka shkruar Sheremeti në llogarinë e vet në “Twitter”.
Presidenti i Aleancës Kosova e Re dhe deputeti i Kuvendit, Behgjet Pacolli, ka thënë se qeveria në detyrë është duke e penguar që të kthehet në Kosovë.
Ai ka thënë se këto veprime i ngjasojnë qeverive diktatoriale dhe primitive.