Kështjella ‘e përdorur nga spiunët rusë’ në Mbretërinë e Bashkuar, mund të sekuestrohet dhe t’i dhurohet Ukrainës
Kështjella Seacox Heath, e cila përdoret nga diplomatët dhe inteligjenca e Moskës si një strehë për pushime dhe fundjavë mund t’i jepen Kievit, së bashku me 17 pasuri të tjera të paluajtshme. Dyshimi i ngritur nga gazeta britanike Times, thekson se shumë pak janë të vetëdijshëm për interesin rus për këtë fortesë të shekullit të 19-të. Dhe sipas një hetimi të gazetës, kështjella, e cila ndodhet në fshat rreth Tunbridge Wells, në kufirin midis Kentit dhe Sussex Lindor, mund të përfshihet në listën e 18 pronave shtetërore ruse në Angli që mund të sekuestrohen dhe shiten në Ukrainë.
Ditët e fundit, ministrja e Jashtme Liz Truss, e cila mendohet si pasardhëse e mundshme e Boris Johnson në Mbretërinë e Bashkuar, tha se ajo po konsideronte ngrirjen e aseteve ruse në vend dhe dhurimin e tyre për viktimat e luftës në Ukrainë. Siç raporton Times, shumica e këtyre pronave, me një vlerë totale prej rreth 100 milionë paund, ndodhen në lagjen Highgate të Londrës veriore. Zona frekuentohet nga diplomatë dhe oligarkë rusë.
Ndër asetet ruse është Witanhurst, shtëpia e dytë më e madhe në Londër pas Pallatit Buckingham. Pronari është miliarderi Andrey Guryev, i sanksionuar nga qeveria britanike. Moska zotëron gjithashtu një godinë luksoze në Kensington dhe tre shtëpi në Holland Park. Dhe, sipas Times, edhe Seacox Heath.
Kievi po mendon gjithashtu për veprime ligjore për t’i marrë 18 pronat nën objektivin e qeverisë britanike. Sipas Times, Vadym Prystaiko, ambasadori ukrainas në Mbretërinë e Bashkuar, dëshiron ta çojë Rusinë në gjykatë që gjykatësit të detyrojnë Moskën të shesë pronat e saj në tokën britanike dhe të ndajë fitimet. Jo vetëm kaq, por ai u bëri thirrje të gjitha ambasadave të Ukrainës në mbarë botën të bëjnë të njëjtën gjë. Mund të jetë fillimi i një lufte letrash, përveç asaj që po zhvillohet tashmë në terren.