Kështu do të jetë moti javën e ardhshme

10 maj 2020 | 18:29

Prishtina Weather ka njoftuar se java e re do të fillojë me mot shumë të ngrohtë, me diell dhe vranësira.

Sipas Prishtina Weather, nga e dita e enjte një valë e të nxehtit afrikan do të shtrihet mbi rajon, pritet që temperaturat të jenë edhe mbi 30 gradë celsius.

10.5.2020: Java e dytë e muajit maj fillon me mot shumë të ngrohtë, pasditen e së hënës me mundësi për ndonjë rigë lokale shiu. Të martën, me kalimin e një cikloni në veri të rajonit, do të ketë zbritje të lehtë të temperaturave. Nga dita e mërkurë fusha të presionit më të rritur do të shtrihen mbi rajon, të cilat sjellin mot stabil, me diell e herë-herë edhe me vranësira, por pa të reshura. Sipas parashikimeve të fundit, prej ditës së enjte një valë e të nxehtit afrikan pritet të depërtojë mbi vendin tonë, që do të kushtëzojë mot të nxehtë, me temperatura maksimale edhe mbi 30C. Depërtimi i disa cikloneve përgjatë Mesdheut perëndimor, në fillim të javës dhe në pjesën e dytë të javës, do të sjellë nga shkretëtirat e Afrikës veriore koncentrime më të larta të pluhurit Saharian mbi rajon, e pritet që edhe vlerat e çastit të cilësisë së ajrit të rriten në vlera të pashëndetshme.
11.05: Shumë ngrohtë dhe kryesisht me diell. Gjatë ditës vranësirat do të shtohen. Mundësi për ndonjë rigë lokale shiu.
12.05: Ngrohtë, kryesisht me diell, herë-herë edhe me erë. Ditën me pak vranësira lokale.
13.05-14.05: Ditën e mërkurë kryesisht me diell dhe shumë ngrohtë. Pasdite vranësira kalimtare. Të enjten nxehtë, paradite me diell, e gjatë ditës pjesërisht vranët.
15.05: Nxehtë, kryesisht me vranësira dhe intervale me diell”, bëhet me dije në njoftimin e Prishtina Weather.

Po ashtu theksohet se temperaturat minimalet do të luhaten nga 7C deri në 11C, e maksimalet të hënën vazhdojnë të rriten deri në 28C, ndërsa ditën e martë do të zbresin përreth 24C.

“Nga dita e mërkurë maksimalet sërish do të shënojnë rritje kur nga dita e premte do të rriten edhe deri në 31C. Do të fryjë erë mesatare kryesisht nga jugu-jugperëndimi 3-12m/s, herë-herë me hove deri në 15m/s. Shtypja atmosferike do të pësojë rënie, e nga dita e marte do të luhatet përreth vlerave normale”, thuhet në njoftimin e Prishtina Weather.

(M.Q / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tashmë një kohë të gjatë, çështja e përfundimit të dialogut…