Kështu e planifikonte Serbia kryerjen e Masakrës së Reçakut
Po bëhen 25 vjet nga Masakra e Reçakut. Ani pse Serbia vazhdimisht e mohon që forcat serbe e kanë kryer këtë krim të rëndë, ekzistojnë shumë fakte dhe plani i paramilitarëve serbë, për këtë krim që është ndër më të rëndit në Kosovë.
“Demokracia” ka siguruar dokumente që tregojnë planin e operacionit të serbëve për kryerjen e masakrës në këtë fshat.
Më 5 janar të vitit 1999, 10 ditë para masakrës së Reçakut, inteligjenca ushtarake serbe, kishte dhënë sinjale se mund të ndodhte një masakër si ajo e tregut të “Markmales” në Bosnje.
Përmes këtyre dokumenteve vërtetohet se shefi i armatës së III-të në Kosovë, Vladimir Llazareviq, ka qenë përgjegjës për masakrën e Reçakut. Disa muaj më vonë, ai ishte dekoruar me flamurin luftarak të klasit të parë.
Më 15 janar 1999, në fshatin Reçak u vranë dhe u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur.
Plani për masakrën e Reçakut
Në orët e hershme të mëngjesit të datës 15 janar 1999, ashtu siç ishte planifikuar në Beograd, fshati Reçak u zgjua i rrethuar nga formacionet e policisë speciale, militare dhe paramilitare serbe të shoqëruar edhe me mjete të shumta të motorizuara.
Sipas dëshmitarëve që kanë mbijetuar krimin, aty rreth orës 6.30 minuta forcat serbe me artileri të rëndë kishin filluar të granatojnë fshatin prej vendeve të quajtura „Pishat“, „Gështenjat“, „Rrasa e Çallakut“ dhe nga „Çesta“ përmbi Reçak. Pas ndërprerjes së granatimeve, forcat kriminale serbe janë futur në fshat dhe kanë filluar bastisjet shtëpi për shtëpi.
Në këto momente mjaft të rënda, fshatarët ishin përpjekur të largohen nga fshati apo të gjejnë një vendstrehim më të sigurt, por rrethimi i hekurt e kishte bërë të pamundur një gjë të tillë.
Forcat serbe që ishin futur përmes rrugës kryesore të fshatit kishin arrestuar në oborrin e shtëpisë (afër xhamisë) Banush Azem Kamberin, ndërsa familja e tij pak kohë më herët kishte braktisur shtëpinë, shkruan Demokracia.com.
Forcat kriminale, Banushin pasi e maltretuan fizikisht e ekzekutuan me gjuajtje automatiku në oborrin e fqinjit të tij Rashit Rashiti. Ata nuk e lënë me kaq dhe pas ekzekutimit, Banushit ia këpusin edhe kokën, e cila nuk është gjetur dot në vendin e krimit. Formacionet kriminale, në të cilat janë radhitur edhe serbët lokalë, në këtë operacion shfarosës nuk lanë vend në fshat pa kontrolluar, djegur e shkatërruar.
Drama me e tmerrshme në këtë ditë, për banorët e Reçakut u zhvillua në shtëpinë e Sadik Osmanit. Qysh në orët e para të mëngjesit ishin tubuar shumë familje në podrumin e shtëpisë dhe në ahurin e lopëve të tij për t´u mbrojtur nga granatimet e artilerisë së rëndë. Kriminelët pasi kishin hetuar strehimin e banorëve të fshatit në këtë shtëpi, fillimisht nga largësia prej shtëpisë së Ragip Jahir Bajramit dhe shitores së Lutës (siç e quanin fshatarët) gjuajnë me armë të kalibrave të ndryshme dhe në këtë moment vrasin të moshuarin Nazmi Nuha dhe më pastaj hidhen në sulm, rrethojnë shtëpinë e Sadikut dhe futen në oborr.
Dëshmitarët okular: Ramë Nesret Shabani dhe Sadie Ramadani, nga kjo ditë tragjike rikujtojnë: “Rreth orës 8:30, jemi tubuar në bodrum të shtëpisë së Sadik Osmanit, për t´u mbrojtur nga granatimet. Aty kanë qenë rreth 30 gra me fëmijë, kurse prej meshkujve ishin Sadik Osmani, Ramë Nesret Shabani, Mufail Hajrizi, Burim Osmani dhe disa djem të rinj. Ndërsa, burrat tjerë, rreth 30 veta, kanë qenë të vendosur në ahurin e lopëve të Sadik Osmanit. Fillimisht policia serbe i kishte nxjerrë jashtë nga ahuri burrat dhe mandej kishte ardhur një polic i maskuar duke e hapur derën e bodrumit për të këqyr brenda, për të dalë menjëherë jashtë. Ndërkohë, kishte ardhur komandanti i policisë së Shtimes dhe kishte pyetur policin e maskuar: “Çka ka këtu brenda?“. Polici i përgjigjet: “Gra dhe fëmijë“. Komandanti ia kthen: “Pse po gënjen? Këtu paska edhe burra“. Më pas banorët ishin nxjerrë në oborr dhe ua kishin marrë letërnjoftimet…, ndërsa gratë dhe fëmijët i kishin mbyllur me dry (çelës) në bodrum.
Dëshmitari Bilall Sadri Avdiu, i cili kishte qenë i strehuar në ahurin e lopëve thotë: “Dy tre policë e çelën derën e ahurit…dhe thanë: “Ima ovde mnogo irredentista, majko im jebem” (Këtu ka shumë irrredentistë, he nënën ja u q***). Na urdhëruan të dalim për jashtë me duart përpjetë dhe kur dolëm për jashtë ata kishin qenë shumë – 30 deri në 40 policë të renditur prej kodre, krejt të armatosur deri në dhëmbë e të mëdhenj, disa me maska e disa pa to”. I kanë tubuar në oborr dhe ia kanë marrë letërnjoftimet e dokumentet tjera.
Në oborrin e Sadikut në këtë moment kritik: “Hakip Imer Hakipi, Ahmet Izet Jakupi, Esheref Halim Jakupi, Lutfi Hasan Bilalli, Sadik Xhemë Osmani, Jashar Milaim Salihu, Njazi Sherif Zymberi, Shyqeri Ismajl Syla, Haqif Hysenaj nga fshati Petrovë, Muhamet Faik Syla, Fatmir Faik Ramadani, Murtez Ramiz Imeri, Mehmet Qerim Jakupi, Muhamet Hafiz Mustafa, Shukri Milaim Salihu, Sheremet Shyqeri Syla, Mufail Mehdi Hajrizi, Bujar Hanafi Hajrizi, Salih Faik Ramadani, Nexhat Faik Ramadani, Xheladin Ahmet Jakupi, Raif Milaim Salihu, Ragip Jahir Bajrami, Bajrush Nesret Shabani, Bilall Bilalli, Ramë Nesret Shabani, dhe Nesret Shabani. Sipas dëshmitarëve që kanë mbetur gjallë, kriminelët serbë pasi i kanë legjitimuar burrat e zënë, i kanë shtri për toke dhe kanë filluar t´i rrahin mizorisht duke përdorur kondakët e armëve, shqelmat, dru, zinxhirë dhe gjësende tjera të forta. Gjatë rrahjeve në oborrin e Sadikut, dëgjohej gjëma dhe britmat e burrave, ndërsa në bodrum qanin e kukasnin gratë e fëmijët e mbyllur më çelës.
Pas kësaj drame tmerruese, kriminelët sipas skenarit të përgatitur më herët kishin kaluar në fazën e dytë të veprimit. Dëshmitarët gjatë rrahjeve brutale në oborrin e shtëpisë së Sadik Osmanit kanë dëgjuar një komunikim me radiolidhje të drejtuesve të këtij operacioni. Pas një orë e gjysmë rrahjesh për vdekje, dikur në mesditë, këta burra i marrin dhe në rresht (kolonë) për një dhe i nisin në drejtim të malit dhe te ”Gropa e Bebushit” ndalohen nga njësitë tjera kriminale serbe, me të cilët pak kohë më parë nga oborri i Sadikut është biseduar në radiolidhje.
Pikërisht në rrugicën e “Gropës së Bebushit”, ashtu siç kanë qenë duke ecur në kolonë, njësitë kriminale serbe me rafale automatiku nga afër i kishin ekzekutuar pamëshirshëm 24 burra, ndërsa me këtë rast (meqë ishin të fundit në kolonë) arrijnë të shpëtojnë: Ramë Shabani, Bilall Bilalli, Nesret Shabani, Ali Qazimi dhe Imer Imeri.
Më 15 janar 1999, në këtë ditë të kobshme, në Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur, në mesin e të cilëve ishte edhe një grua.