Kështu nuk duhet të debatojë Gjermania
Gero Schliess
Për çfarë ka diskutuar më shumë Gjermania këto ditë? Për rrezikun e një armatimi të ri atomik pas skadimit të marrëveshjes INF dhe daljes prej saj të SHBA? Për luftën kërcënuese monetare mes SHBA e Kinës? Për nxemjen luftarake mes Iranit dhe perëndimit në Ngushticën e Hormuzit? Apo për vdekjen tragjike të një djali 8-vjeçar të hedhur para trenit në stacionin e Frankfurtit nga një person me origjinë nga Eritrea?
Asgjë nga këto! Gjermania debaton, se në cilat rrethana duhet të futen në shkollë fëmijët me njohuri të dobëta të gjermanishtes. Normalisht nuk është ndonjë temë që ndez gjakrat. Por megjithatë dallgët u ngritën. Në ajër qëndron akuza e racizmit dhe mediat sociale janë mbushur me fyerje.
Ndalimet e dëmtojnë debatin
Një shembull ky, se sa e ndezur dhe e ashpër është bërë atmosfera në Gjermani. Dhe se në Gjermani logjika e përjashtimit dhe moslejimi i temave të caktuara po e dëmtojnë gjithnjë e më shumë debatin dhe diskursin. Çfarë ka ndodhur? Zëvendëskryetari i grupit parlamentar të CDU, Carsten Linneman në një intervistë hyri në debat me një fjali: “Një fëmijë, që mezi flet e kupton gjermanisht nuk ka ç`të kërkojë ende në një shkollë fillore”. Në rastin më ekstrem, hyrja e tij në shkollë mund të shtyhet, sipas tij.
“Nuk ka se ç`të kërkojë në shkollë fillore” – ndoshta kjo përzgjedhje fjalësh dhe gjesti i përjashtimit ishin ato që e bënë edhe agjencinë serioze të lajmeve, “DPA” të përdorë si titull të artikullit të saj “Politikani i CDU-së: Ndalim të shkollës fillore për fëmijët që nuk dinë gjermanisht”. Edhe pse “DPA”, më vonë e korrigjoi (për një ndalim nuk u fol), stuhia që shpërtheu në mediat sociale nuk ndalej më. Linneman u akuzua për racizëm, një akuzë tërësisht e pakuptimtë. Kush gjykon në mënyrë të tillë, i ka shpëtuar të lexojë, se politikani i CDU-së ka kërkuar oferta parashkollore, në të cilat duhet të investojë shteti.
Nervat të acaruara në Gjermani
Kjo tregon se tek gjermanët nervat janë të acaruara. Këtë e di edhe Linnemani. Pak para zgjedhjeve në tre lande gjermanolindore, ai preku me vetëdije një plagë, dhe ia doli. Sepse çdo gjë që ka të bëjë me imigrimin e gati 1milionë njerëzve në vitin 2015 i trazon gjermanët edhe sot – pavarësisht nëse flitet për vende pune, shkollimin apo kriminalitetin. Me këtë përzgjedhje fjalësh, Linneman kërkonte të testonte kufijtë e “political correctness”. Në zgjedhjet në Saksoni, Brandenburg e Tyringji populistët e djathtë të AfD-së ka gjasa të marrin shumë hov, e madje të bëhen partia më e fuqishme. Ekskursioni i politikanit Linneman, i njohur si politikan i ekonomisë, në fushën e arsimit, të duket si një përpjekje për të peshkuar vota në ujërat e djathta me parulla populiste.
Por këtu nuk bëhet fjalë për një strategji zgjedhore të gabuar, që i bëri që në vitin 2017 partitë si CDU e CSU të pësojnë humbje të forta. Në rastin e debatit për Carsten Linneman mund të studiosh mirë mënyrën si vepron industria e zemërimit, që gërryen nga brenda shtyllat e demokracisë sonë. Ajo u përcoll si në trazirat gati të harruara në Chemnitz para një viti, ashtu edhe tek vdekja e tmerrshme e 8-vjeçarit në stacionin e Frankfurtit dhe tani në replikat për kompetencën gjuhësore të migrantëve dhe refugjatëve.
Sa të ndryshme janë këto raste, një gjë ato e kanë të përbashkët: Në mediat sociale nxjerr vrer vulgu ekstremist i djathtë dhe përdor për këtë frikën e njerëzve dhe paragjykimet. Ata që janë të arsyeshëm dhe gjykojnë janë në defensivë ose janë tërhequr ndërkohë. Po, jemi edhe ne mediat, që me gabime padashur (shiko rastin e dpa) apo me qëllim kontribuojmë në ashpërsimin e situatës. Ato vlera që harrohen janë respekti, mirësia dhe sensi pro komunitetit. Kësaj i shtohet që kategorizimi i vazhdueshëm i fjalorit që realisht nuk është esktremist, zhvlerëson nocionet e vërteta ekstremiste. Edhe ngritja e vazhdueshme vend e pa vend e çomanges së racizmit, ia heq mprehjen këtij instrumenti, pikërisht atëherë, kur racistët e vërtetë të tipit Donald Trump kërkojnë të ngjiten në skenë.
Të pranosh gjërat siç janë
Çfarë duhet bërë? Hapi i parë – të pranosh gjërat siç janë. Ardhja e qindra mijëra migrantëve brenda një kohe të shkurtër dhe një politikë migrimi që ka vështirësi e kanë ndryshuar Gjermaninë. Efektet e kësaj janë të thella, edhe në spektrin politik: AfD, një formacion populist i djathtë pa skrupuj i ka vënë përpara partitë tradicionale. Tek qendra e majtë, partia socialdemokrate dikur krenare po kthehet në një parti të vogël. Më mesin e këtyre ndodhet një kancelare me afat, brenda një CDU/CSU-je të pasigurte, që nuk e ka gjetur një përgjigje për klimën dhe frikën e migrimit, por edhe nuk do ta gjejë i njëjti fat si SPD-ja.
Ashtu si po kalon stuhia në sistemin partiak, ashtu ka rrezik që të humbasë linjën orientuese sistemi ynë i vlerave. Por kjo nuk duhet të ndodhë! Vlerat si e vërteta, toleranca, liberalizmi janë thelbi i demokracisë sonë. Ne gjermanët i mbrojmë ato më së miri, nëse populizmin ua lemë të tjerëve, e me qetësi ua vëmë gjërave emrin siç e kanë, ose siç i shohim ne. Kjo duhet të jetë e mundur, edhe nëse bëhet fjalë për nxënës të shkollës fillore dhe mësimin e gjermanishtes. Të ruajmë gjakftohtësinë dhe të tregojmë vendosmëri, kjo është motoja e kohës!/dw/