Kështu planifikohet të transformohet sheshi “Xhorxh Bush”
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, të shtunën ka prezantuar projektin për transformimin e sheshit “Xhorxh Bush”, e cila ishte mbyllur për qarkullim për disa javë, deri kur Rama kishte njoftuar se do të shndërrohej në shesh.
I pari i Kryeqytetit, tha se ideja e tyre është që ky shesh të jetë i pranueshëm për të gjitha grupmoshat.
“Sheshi do të jetë përplot jetë dhe ideja është që këto sheshe të jenë të qasshme për të gjitha moshat. Gjithashtu do të ketë hapësirë për artistët që të krijojnë një Prishtinë të transformueshme. Te pjesa e Katedrales, për momentin është e rrethuar me një muri të vogël dhe ne kemi propozuar që të hapet dhe të jetë e qasshme për të gjithë qytetarët, në mënyrë që të mos t’i shohim këto monumente të rrethuara dhe të mos jenë të cenueshme për qytetarët”, u shpreh Rama.
Rama tregoi edhe për zgjerimin e këtij sheshi deri te Xhamia e Madhe, ku tha se edhe aty do të ketë një parking nëntokësor.
“Fillimisht e keni parë që te parkingu ka pasur një dalje por është mbyllur dhe tash është ideja është që të zgjatet sheshi deri te Xhamia e Madhe, ku edhe aty do të kemi edhe një parking nëntokësor dhe një tjetër te rrethi me flamur, e ku do të shfrytëzohet nga lagjet si ‘Kalabria’, ‘Dardania’ e ‘Prishtina e Re’”, u shpreh Rama.