Kështu u bombarduan mediat e UÇK-së nga avionët luftarak serb në Mars të vitit 1999
Rrëfim autentik nga ditari i luftës i Isa Krasniqit, njëri nga themeluesit e këtyre dy mediave të UÇK-së.
UÇK, Berishë, Kosovapress & Kosova e lirë, 23 deri 31 Mars, 1999.
Pjesë e nxjerrë nga Ditari i luftës së Lumë Gjergjit, i pandryshuar përveç sqarimit në kllapa, dhe publikohet për herë të parë
?? ????, ????
Dita e sotme do të jetë një ndër ditët më të mëdha në historinë e kombit tonë. Faktori diplomatik dhe ai politik euro-amerikan, pas dështimit të tij në zgjidhjen paqësore të problemit të Kosovës, përfundimisht ia lëshoj rolin e veprimit faktorit ushtarak ndërkombëtar, NATO-s.
Këtë lajm të shumëpritur ma komunikoi Ekremi (Ekrem Krasniqi, korrespondent i Kosovapress&Kosova e lirë në Bruksel), nga selia e NATO-s në Bruksel…
??-?? ????, ????
Po bëhet një javë që nuk kam shkruar asgjë. Ngjarjet kanë qenë dinamike dhe dramatike. Gjatë këtyre ditëve terrorizmi serb ka treguar fytyrën e vet të vërtetë. Ofensiva e përgjithshme e ndërmarrë nga okupatori, ka shkatërruar me qindra fshatra. Ka plaçkitur dhe djegur me mijëra shtëpi shqiptare. Kanë masakruar me qindra shqiptarë, duke përfshirë të gjitha moshat dhe gjinitë. Pothuajse të gjitha fshatrat e Drenicës janë djegur. Forcat serbe kanë arritur të depërtojnë në shumicën e këtyre fshatrave.
Edhe në Llap armiku ka bërë shkatërrime dhe masakra të mëdha. Në këtë zonë rezistenca e njësiteve të UÇK-së ka qenë e pashoqe. Me një armatim fare të dobët, është arritur që forcat okupatore të pësojnë humbje dhe të zmbrapsen shumë herë. Nga humbjet e mëdha në vijën e frontit, terroristët serbë kanë djegur, plaçkitur dhe masakruar në Podujevë dhe në fshatrat përreth.
Rezistencë e madhe është bërë edhe në Zonën e Shalës. Armiku ka arritur të depërtojë vetëm në disa fshatra rrëzë Qyqavicës. Në anën e Shalës së Bajgorës nuk ka arritur të depërtojë.
Edhe Zona e Pashtrikut ka bërë rezistencë në mundësitë e veta. Në disa pjesë, okupatori jo vetëm që nuk mundi t’i shkelë, por edhe ka pësuar humbje të mëdha.
Pothuajse në të gjitha zonat, rezistenca e njësiteve tona ka qenë e fortë. Vlen të përmendet me theks të veçantë vepra heroike e Zonës së Dukagjinit, të cilët në aksionet e tyre zhbënë dy vend pozicionime të armikut…
Gjatë këtyre ditëve kemi pasur fatin ti shohim edhe me sy bombardimet e NATO-s nga ajri, mbi pozicionet e forcave serbe. Goditjet kanë qenë të fuqishme kudo, në Serbi, Mal të zi dhe në Kosovë. Mirëpo armiku kishte marrë masat dhe pothuajse tërë arsenalin e armatimit e kishte sjellë në teren në Kosovë. Me këtë arsenal lëvizës shkatërroj qytete dhe fshatra.
Një ditë na kanë sulmuar edhe në Berishë me aeroplanë të tipit MIG. Barbarët serbë lëshuan 8 kutia me bomba. Nga ato kutia kanë rënë me qindra bomba, të cilat u shpërndanë në një territor prej më se 2 kilometrash. Kjo ndodhi në këtë mënyrë:
Isha nën disa lisa dhe po rregulloja mbi veturë (duke shrytëzuar energjinë elektrike nga bateria e veturës) telefonat (satelitor) për komunikim me zonat dhe me botën. Kisha përfunduar rregullimin, kur me shpejtësi erdhën dy aeroplanë jugosllavë mbi qiellin ku ishim ne. Na kaluan neve dhe shkuan në Divjakë (Selia e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së), ku ia dhanë shpejt e shpejt një rreth. Ndërkohë, unë i kisha alarmuar ata që ishin në shtëpi (Selia e Kosovapress&Kosova e lirë) përmes një plaku që ishte aty afër. Megjithatë, shpejtësia ishte e madhe, pra e aeroplanëve. Pas rrethit që bënë kanë marrë drejtimin e Nekocit, mbi Kishnarekë dhe sërish Grykës së Llapushnikut. Mendova për një çast se morën drejtim të kundërt prej nesh. Papritmas, kam ngritur kokën dhe kam parë aeroplanin e parë, mendoj 30-40 metra mbi mua. Kam menduar se i hodhi bombat aty. Nuk kam pasur kohë as të shtrihem, kisha mbetur në këmbë. Shpërthimi i bombave më ka bërë të krrusem dhe të vrapoj pas një gardhi aty afër. Në atë moment ka bombarduar aeroplani i dytë. E tëra kjo ngjarje është zhvilluar me një shpejtësi të madhe. Pas shpërthimit të bombave të para, kam parë se si binin bombat nga aeroplani i dytë. Disa nga bombat kanë goditur afër një shtëpie me ç’rast kanë plagosur 8 persona. Njëri nga të plagosurit ishte Elbasan (Berisha), 14 vjeçar, i cili pas një kohe nga plagët e marra, vdiq. Megjithatë, nga të gjitha ato bomba të hedhura, ka qenë rrezik që pasojat të jenë edhe më të mëdha.
Pas bombardimeve, kemi dalë në luginat e maleve, dhe tërë ditët e fundit aty kemi punuar. Ishte vërtetë vështirë të punoje jashtë në shi dhe në të ftohtë, por ishte kënaqësi dhe atdhetarizëm të punoje në këto kushte. Ditën punonim në mal, ndërsa natën punonim sërish në lokalet ku kishim punuar deri tani. Sigurisht se tani punonim pa agregat (gjenerator), me akumulator të veturës. Natën vështronim goditjet e NATO-s.
Pas dy ditëve kemi ndërruar vendin dhe kemi shkuar në një shtëpi, pronë e një dëshmori, në mes të Katundit të ri dhe Lladrovcit. Aty kemi bartur gjërat e nevojshme dhe një pjesë të teknikës. Kemi qëndruar dy ditë aty dhe prapë nga granatimet e shpeshta të armikut jemi detyruar të kthehemi atje ku ishim në fillim.
Me Besnikun (Besnik Berisha fotoreporter i Kosovapress&Kosova e lirë), për ta nxjerrë veturën nga ai vend (lugina e malit), jemi nisur natën dhe kemi fjetur në veturë, në një përrua të maleve të Berishës. Ishte ftohtë dhe jemi mërdhirë, por kur kujtoja vuajtjet e popullit tim, e imja nuk më dukej aq e vështirë.
Lajmet që vinin nga tereni, kudo përmbanin tmerre që po shkaktonte soldateska serbe. Shumë masakrime, ekzekutime, përdhunime, kishte kudo nëpër qytete. Barbarët po zbrazin qytete të tëra. Pothuajse janë zbrazur Prizreni dhe Peja. Edhe Podujeva, Istogu dhe Klina, ka pas zbrazje të shumta të popullsisë. Skënderaj ishte zbrazur më herët. Aty kishin kryer edhe masakra. Gjakatarët po bënin spastrimin etnik. Populli ynë po përjetonte dramat më të rënda në historinë tonë. Armiku po përdor edhe metoda të tjera të krimit në luftë. Ai po zë peng me mijëra njerëz të të gjitha moshave dhe gjinive. Tashmë, edhe opinioni i jashtëm ka filluar të dyshoj se okupatori serb ka krijuar kampe përqendrimi.
Sulmet e armikut kundër popullatës së pafajshme shqiptare dhe UÇK-së kanë vazhduar gjatë tërë këtyre ditëve. UÇK-ja ka bërë një rezistencë heroike. Gjatë këtyre betejave ushtria jonë nuk ka pësuar. Popullata ka pësuar shumë. Armikut i janë shkaktuar dëme të mëdha në njerëz dhe në teknikë lufte. Edhe NATO kudo e ka goditur në caqe. Mendoj se është dashur që goditjet të jenë më të shumta dhe të vazhdueshme nëpër konvoje (ushtarake) lëvizëse.
Disa ditë kemi qëndruar nëpër male. Një ditë të vranët dhe me shi të madh, armiku pas granatimeve të vazhdueshme, përdori edhe raketa tokë-tokë. Së pari, fare afër na ka rënë një granatë e minahedhësit, shpërthimi i së cilës ishte i fuqishëm. Në fillim jemi shtrirë për toke, por vetëm 2-3 minuta më vonë ka ndodhur një shpërthim aq i fuqishëm sa që nuk kemi mundur as të lëvizim dhe më pas të ngrihemi shpejt dhe të largohemi nga aty. Ky shpërthim ishte i raketës tokë-tokë. Më pas armiku ka hedhur edhe 3 raketa të tjera tokë-tokë, ku për fat të relievit të maleve të Berishës, nuk pati viktima. Raketimet dhe granatimet kanë vazhduar për një kohë. Më vonë kemi kuptuar se tanët ju kishin shkatërruar disa mjete armikut dhe u kishin sjellë dëme edhe në njerëz. Në luftime kishin rënë heroikisht dy ushtarë tanë në Tërpezë…