
Këta ishin 23 deputetët shqiptarë në Parlamentin e parë pluralist në Maqedoni
Sot është konstituuar përbërja e dhjetë e Kuvendit të Maqedonisë, kurse profesori Xheladin Murati na ka ri-sjellë në kujtim 23 deputetët shqiptarë të përbërjes së parë të Kuvendit pluralist në Maqedoni. Murati, i cili ishte nënkryetar i parë shqiptar i Kuvendit të Maqedonisë, ka ri-sjellë emrat e 23 deputetëve të parë të Kuvendit të konstituuar më 8 janar të vitit 1991.
Në këtë përbërje 17 deputetë ishin zgjedhur si kandidatë të Partisë për Prosperitet Demokratik (PPD), një deputet si kandidat i Partisë Demokratike Popullore (PDP) dhe 5 kandidatë të përbashkët të PPD-së dhe PDP-së, gjë që e mundësonte sistemi i atëhershëm zgjedhor i shumicës, shkruan Gazeta Lajm
Më poshtë ju sjellim postimin e plotë të profesorit Xheladin Muratit me emrat e deputetëve të parë, të radhitur në foto sipas alfabetit.
Më 8 janar 1991 u bë konstituimi i parlamentit të parë pluralist shumë partiak (legjislatura e parë) me të cilën iu hap rruga demokracisë kundrejt komunizmit në Maqedoni.
Ishte një datë historike e fillimit të mbarësisë për shqiptarët e Republikës së Maqedonisë për t’u çliruar nga komunizmi i egër.
Në këtë përbërje të parë të parlamentit pluralist morën pjesë 23 deputet shqiptar nga PPD-ja dhe PDP-ja.
Këto 23 zëra elaboruan me përkushtim çështjen shqiptare në Maqedoni, përgatitën dokumente, projekte, ligje, propozime me të cilat e njoftuan opinionin e gjerë evropian dhe më gjerë për statusin dhe pozitën e shqiptarëve në Maqedoni.
23 zërat e demokracisë së vitit 1991 ishin:
Nga Tetova: Xheladin Murati, Vebi Xhemaili, Muhamet Halili, Avdi Murtezani, Hamit Aliu dhe Abdurahman Aliti.
Nga Shkupi: Eshref Aliu, Naser Ziberi, Naif Mustafa, Shaban Prevalla, Ismet Ramadani, Asllan Selmani, Agim Fazliu.
Nga Gostivari: Neim Selmani, Xhelil Tairi, Sejfedin Haruni, Nexhadin Xhaferi, Zudi Emini dhe Ferid Sadiku.
Nga Dibra: Gazmend Ajdaraga,
Nga Struga: Mersim Pollozhani,
Nga Kërçova: Olloman Sulejmani,
Nga Kumanova: Hisni Shaqiri.
Ndërsa në zgjedhjet e fundit shqiptarët kanë fituar 33 ulëse në parlamentin e Maqedonisë, i cili ka gjithsejt 120 ulëse. Prej tyre nga radhët e BDI-së, janë 15 deputet, nga PDSH-ja 1 deputet, Nga ASH-Alternativa 12 deputet, Lëvizja Besa 4 deputet etj.