Këta ishin anëtarët e Shtabit Operativ të UÇK-së nga viti 1994 deri në vitin 1997 (Emrat)
Deri në vitin 1997 Shtabi Operativ i UÇK-së që vepronte në Kosovë përbëhej nga Nait Hasani, Sokol Bashota, Rexhep Selimi, Zahir Pajaziti, Lahi Brahimaj, Bislim Zogaj si dhe në fillim edhe nga Xheladin Gashi “Plaku”, i cili më pas kaloi në organizimin e Shtabit të Përgjithshëm.
Po ashtu, atëkohë në ditët në vijim pritej që shtabit operativ t’i bashkohej edhe Rexhep Bislimi. Në këtë shtab operativ Lahi Brahimaj përfaqësonte Dukagjinin, Zahir Pajaziti përfaqësonte Llapin, ndërsa Nerodimen pritej ta përfaqësonte Rexhep Bislimi.
Takimet rreth organizimit të strukturave dhe operacioneve i mbanin në Prishtinë, në banesën e Nait Hasanit, ku sot është vendosur pllaka e OVL e UÇK-së. Pas arrestimit të shumë organizatorëve dhe anëtarëve të UÇK-së në krye me Nait Hasanin, dhe pas vrasjes së Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhës e Hakif Zejnullahut, shtabi operativ kaloi në ilegalitet duke filluar riorganizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në bazë të rrethanave të krijuara.