Këta janë 12 drejtuesit politikë të PD-së

04 shtator 2024 | 21:07

Kryesia e Partisë Demokratike ka përcaktuar sot drejtuesit politikë në 12 qarqet e vendit, emra të cilët do të udhëheqin edhe listat e deputetëve në zgjedhjet vitit të ardhshëm. Ervin Salianji, i cili udhëhoqi fitoren e Partisë Demokratike në bashkinë e Kavajës, një ndër të paktat bashki të fituara nga opozita, do të drejtojë fushatën e elektorale në Elbasan.

Në këtë qark ai merr vendin e Gazment Bardhit, i cili pasi humbi katër vjet më parë si drejtues politik, do të drejtojë fushatën elektorale në Fier.

Në këtë qark, kryesia e demokratëve ka vendosur Bardhin pavarësisht pakënaqësive të Luan Baçit, që deri më tani drejtonte politikisht Partinë Demokratike.

Në Lezhë do të rikthehet Agron Gjekmarkaj. Nënkryetari demokrat i Kuvendit rikthehet në zonën elektorale prej nga ku doli deputet në vitin 2021, zonë të cilët demokratët e fituan, megjithëse humbën në të gjithë qarqet e tjerë.

Luçiano Boçi, pasi la mandatin e deputetit një vit më parë për të kandiduar për Bashkinë e Elbasanit ku doli humbës, tani do të drejtojë qarkun e Shkodrës, zonë ku socialistët e shohin veten fitues në disa palë zgjedhje. Një tjetër kandidat humbës i zgjedhjeve lokale që është rikthyer është edhe Belind Këlliçi, i cili pasi humbi në bashkinë e Tiranës, tani do të jetë si drejtues politik i të gjithë qarkut.

Teksa Eno Bozdo është konfirmuar në Berat, surprizë konsiderohet delegimi i Ivi Kasos në qarkun e Korçës.

Sa i përket emrave të tjerë, janë pikërisht ata që priteshin, deputetë të cilët janë rreshtuar që ditën e parë me Foltoren e ish-kryeministrit Berisha, por edhe Xhelal Mziu, i cili fillimisht qëndroi me Bashën, më pas nisi të marrë pjesë në mbledhjet e grupit të Berishës, qëndroi disa herë në me të të dyjave palëve dhe në fund shkoi sërish te ish-kryeministri.

Në Kukës është konfirmuar Flamur Hoxha, ndërsa Tritan Shehu do të drejtojë sërish Gjirokastrën dhe Bujar Leskaj Vlorën.

DREJTUESIT E PD NË QARQE

1. Tirana – Belind Këlliçi
2. Durrës – Oerd Bylykbashi
3. Shkodër – Luçiano Boçi
4. Lezhë – Agron Gjekmarkaj
5. Fier – Gazment Bardhi
6. Elbasan – Ervin Salianji
7. Korçë – Ivi Kaso
8. Kukës – Flamur Hoxha
9. Gjirokastër – Tritan Shehu
10. Vlorë – Bujar Leksaj
11. Berat – Eno Bozdo
12. Dibër – Xhelal Mziu

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Granit Xhaka është nominuar për çmimin prestigjioz të Topit të…