Këta janë 40 avokatët e Gjykatës Speciale
Dhomat e Specializuara të Kosovës sot kanë publikuar listat e mbrojtësve për përfaqësimin e të dyshuarve, të akuzuarve dhe viktimave, ose të cilitdo person tjetër që gëzon të drejtën e përfaqësimit juridik, në përputhje me Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Direktivën për Mbrojtësit.
Listat përmbajnë emrat e 40 juristëve që janë pranuar në listat e mbrojtësve dhe tashmë mund të përfaqësojnë të dyshuar, të akuzuar, një grup viktimash ose këdo tjetër që gëzon të drejtën e përfaqësimit juridik në procedurat para Dhomave të Specializuara.
Me këtë rast, kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, gjykatësja Ekaterina Trendafilova, ka thënë se kushtet e rrepta për pranim në listat e mbrojtësve sigurojnë përfaqësim të efektshëm, profesional dhe ligjor përpara Dhomave të Specializuara të Kosovës për të akuzuarit dhe viktimat.
“Unë i përgëzoj të gjithë avokatët që tashmë janë pranuar në listat e mbrojtësve. Kushtet e rrepta për pranim në listat e mbrojtësve sigurojnë përfaqësim të efektshëm dhe profesional ligjor përpara Dhomave të Specializuara të Kosovës për të akuzuarit dhe viktimat, duke dhënë kështu një kontribut të mëtejmë për integritetin e administrimit të drejtësisë nga ana e Dhomave të Specializuara”, është shprehur ajo.
Sipas komunikatës për medie të Dhomave të Specializuara të Kosovës që nga nëntori 2017, Zyra e Mbrojtjes dhe Zyra e Pjesëmarrjes së Viktimave kanë marrë kërkesa të shumta.
Vlerësimi i kërkesave dhe procesi i pranimit të mbrojtësve është kryer në mënyrë sistematike, të barabartë për të gjithë kandidatët dhe në përputhje me Direktivën për Mbrojtësit dhe kriteret e pranimit të përcaktuara në këtë Direktivë.
Emrat e të gjithë mbrojtësve të pranuar deri më sot gjenden në tabelën në faqen e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Internet. Listat e mbrojtësve do të aktualizohen në vijimësi.
Me vijimin e procesit të vlerësimit, në listat e mbrojtësve do të pranohen edhe kandidatë të tjerë, që do të thotë se procesi mbetet i hapur.
Hollësitë në lidhje me pranimin mund të gjenden në Udhëzuesin në lidhje me plotësimin e formularit të kërkesës për pranim në listat e mbrojtësve.