Këta janë 67 deputetët që shpenzuan paratë e shtetit për karburante
Janë 67 deputetë të Kuvendit të Kosovës që kanë shpenzuar para të shtetit për karburante. 36 prej tyre janë të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.
Një gjë e tillë është bërë e ditur nga Shefja e Grupit Parlamentar të kësaj partie, Mimoza Kusari-Lila.
Ajo e ka publikuar listën me emrat e 67 deputetëve që janë kompensuar dhe shumën e parave që kanë marrë për shpenzime të udhëtimit, gjatë muajit dhjetor.
Sipas kësaj liste, vetëm për shpenzime të rrugës të këtyre deputetëve për pjesëmarrje në seanca janë shpenzuar mbi 8 mijë euro, derisa për shpenzime të rrugës për pjesëmarrje në komisione janë shpenzuar mbi 5 mijë e 400 euro.
Ndryshe, të enjten është publikuar lista e dhjetëra deputetëve që janë kompensuar për shpenzimet e derivateve, për arsye të udhëtimeve nga qytetet e tjera për të marrë pjesë në seancat e Kuvendit.
Sipas raportit, për periudhën nëntor-dhjetor të vitit 2021, një deputet ka shpenzuar deri në 870 euro për karburante.
Për udhëtimet e deklaruara nga Podujeva, Agim Veliu i LDK-së për dy muaj ka marrë 340 euro, e Valon Ramadani i Vetëvendosjes nga Ferizaj 320 euro.
Edhe për të tjera distanca relativisht të shkurtëra si Vushtrria e Lipjani, deputetët janë kompensuar për të ardhur në seanca e komisione.
Deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi ka marrë 290 euro kompensim për dy muaj, ndërsa Besim Muzaqi nga Vushtrria ka marrë 170 euro.
Nga i njëjti vend, deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi për periudhën kohore nëntor-dhjetor ka marrë 150 euro, ndërsa bashkëvendësja e saj, deputetja Fjolla Ujkani ka marrë 170 euro, e Gazmend Gjyshinca ka marrë 140 euro.
Ish-drejtori i policisë, tani deputet nga radhët e PDK-së ka marrë 90 euro për udhëtimin e tij nga Lipjani.
Nga shpenzimet e publikuara nga “Kanal” 10 shihet se më së shumti kanë marrë deputetët që vijnë nga Gjakova e Prizreni, deri në 870 euro për dy muaj.
Më poshtë gjeni shpenzimet e secilit deputet për karburante gjatë kësaj periudhe.