Këta janë ambasadorët e Kosovës me pagën mujore mbi 5 mijë euro
Tre ambasadorët e Kosovës që kanë pasur pagën më të ulët gjatë vitit 2023 janë ata që veprojnë në Shkup, Podgoricë dhe Ankara. Për rreth 2 mijë 500 euro më të lartë e kanë marrë pagën ambasadorët e Kosovës në Washington, Bern dhe Paris.
Pagën më të ulët nga të gjithë e ka pasur ambasadori i Kosovës në Shkup, Florian Qehaja. Ai ka marrë 1 mijë e 785 euro e 76 centë në muaj. Rreth 100 më shumë se ai ka marrë ambasadorja e Kosovës në Podgoricë, Ariana Zherka- Hoxha. Paga e saj ishte 1 mijë e 881 euro e 44 centë. Fill pas tyre vjen ambasadori i Kosovës në Ankara, Agon Vrenezi, me pagë prej 1 mijë e 900 e 24 centë.
Kurse, pagën më të madhe në vitin 2023 e ka pasur ambasadori i Kosovës në Washington, Ilir Dugolli, në total prej 5 mijë e 798 euro e 16 centë; i dyti ambasadori në Bern, Sami Ukelli në shumën prej 5 mijë e 214 euro e 20 centë; dhe i treti ambasadori në Paris, Mehdi Halimi me pagë 5 mijë e 207 e 72 centë.
Por në përgjithësi pagën më të lartë nga të gjithë të angazhuarit në shërbimin diplomatik të shtetit e ka Blerim Reka, me gradë diplomatike Konsull i Përgjithshëm/Ambasador në Konsullatën e Përgjithshme në New York. Ai ka marrë pagë mujore në shumën prej 6 mijë e 609 e 28 centë. E pagën më të ultë nga radhët e konsujve e ka pasur konsulli i përgjithshëm në Strugë, Agim Krasniqi, me 1 mijë e 328 euro e 24 centë.
Të gjitha këto të dhëna portali i ka siguruar përmes qasjes në dokumente publike të Ministrisë së punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD).
Kosova ka 53 zyre diplomatike të shpërndara nëpër botë ku përfshihen ambasadat, konsullatat e përgjithshme dhe misionet e posaçme.
Diplomatët e Kosovës të cilëve u ishin ulur pagat me Ligjin për Paga në sektorin publik, që nga muaji shkurt 2024 paguhen me sistemin e vjetër të pagave si rezultat i hyrjes në fuqi të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese mbi këtë ligj.
Në vitin 2023, Kushtetuesja i shpalli të pavlefshëm “paragrafët 2, 3 dhe 4 të nenit 41 të këtij ligji, mbi bazën e të cilëve në fakt ishin ulur pagat e anëtarëve të shërbimit të jashtëm.
Aktgjykimi i Kushtetueses ishte përcaktuar të hynte në fuqi më 01.02.2024.
Por nga MPJD nuk është arritur të mësohet se sa në të vërtetë është paga që përfaqësuesit diplomatikë do ta marrin tash e tutje. Kallxo.com ka insistuar dy ditë rresht që të marrë një shpjegim rreth kësaj çështjeje, por në MPJD nuk i janë përgjigjur interesimit të medias.
Me Rregulloren për kompensime, përfaqësuesi diplomatik kompensohet për shpenzimet e fëmijëve nën moshën 18-vjeçare. Për fëmijën e parë llogaritet shtesa prej 10 për qind e pagës mujore; për fëmijën e dytë, 8 për qind; për fëmijën e tretë, 6 për qind, kurse për katër e më shumë fëmijë llogaritet shtesa prej 5 për qind e pagës mujore. /Kallxo.com/