Këta janë deputetët që parashtruan më së shumti pyetje parlamentare
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka publikuar raportin e monitorimit të punës së Kuvendit të Kosovës gjatë sesionit pranveror.
Në këtë raport janë paraqitur edhe pyetjeve parlamentare si formë për të ushtruar rolin mbikëqyrës ndaj qeverisë.
Sipas KDI-së këtë mekanizëm e kanë shfrytëzuar 39 deputetë nga 120 sa janë gjithsej.
Për dallim nga periudha e njëjtë e vitit të kaluar, ku ishin parashtruar gjithsej 71 pyetje parlamentare, këtë sesion Kuvendi i Kosovës është shquar për numër më të madh të pyetjeve parlamentare gjegjësisht 108 pyetje parlamentare, drejtuar kabinetit qeveritar, apo 37 pyetje më shumë.
Nga numri i përgjithshëm i pyetjeve të parashtruara, 89 prej tyre kanë marrë përgjigje nga kabineti qeveritar ose shprehur në përqindje 82 për qind e tyre.
Prej tyre, 45 pyetje parlamentare janë parashtruar nga grupi parlamentar i PDK-së, pasuar nga ai i Lëvizjes Vetëvendosjes me 42 pyetje, AAK-ja me 19 pyetje, LDK-ja me 2 pyetje, ndërsa deputetët nga LS-ja dhe grupi multietnik nuk kanë parashtruar asnjë pyetje parlamentare.
Prej 39 deputetëve që kanë parashtruar pyetje parlamentare, 25 deputetë janë nga Vetëvendosja, shtatë deputetë nga PDK, gjashtë deputetë nga AAK dhe një deputet nga LDK. Deputetët me më së shumti pyetje parlamentare janë Bekim Haxhiu (24), Time 13 Kadrijaj (10), Fadil Nura (6) dhe Elmi Reçica (5).
Nga 18 anëtarë të kabinetit qeveritar, deputetët kanë parashtruar pyetje parlamentare ndaj 15 prej tyre.
Cak i adresimit të pyetjeve parlamentare kanë qenë ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia që për shkak edhe të situatës shëndetësore me pandeminë Covid-19 ka marrë më së shumti pyetje gjithsej 23 të tilla.
Pas tij është Kryeministri Kurti (18 pyetje) ministri Hekuran Murati (14 pyetje), ministri Liburn Aliu (11) dhe ministrja Arbërie Nagavci (10). Ndërsa ndër ministrat që kanë dhënë më së shumti përgjigje bazuar në numrin e pyetjeve që kanë marrë janë ministrja Arbërie Nagavci me 10 përgjigje nga 10 pyetje, ministri Hekuran Murati me 13 përgjigje nga 14 pyetje, ministri Liburn Aliu me 9 përgjigje nga 11 pyetje, kryeministri Albin Kurti me 16 përgjigje nga 18 pyetje etj. Kurse ministri Xhelal Sveçla është ministri me më së paku përgjigje në raport me pyetjet që kanë marrë, me vetëm një përgjigje nga gjashtë pyetje të parashtruara nga deputetët.