Këta janë dy vëllezërit nga Gjilani që humbën jetën nga tërmeti në Shqipëri (Foto)
Dy qytetarë të Kosovës, vëllezër, nga komuna e Gjilanit, kanë humbur jetën si pasojë e goditjeve të tërmeteve të fuqishme që ndodhën në Shqipëri në mëngjesin e së martës.
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka dhënë lajmin për vdekjen dy vëllezërve nga Gjilani.
“Shemsedin dhe Isa Abazi, dy vëllezër nga Gjilani janë dy nga viktimat e sotme. Ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes Abazi. Ne ndajmë dhimbjen tuaj!”, ka shkruar Pacolli në llogarinë e vet në “Facebook”.
Sipas Emergjencave Civile në Shqipëri, si pasojë e tërmeteve kanë humbur jetën 18 persona nga shembja e pallateve, ndër ta edhe dy të mitura. Po ashtu, bëhet e ditur se rreth 40 persona janë shpëtuar deri më tani nga rrënojat në Durrës dhe Thumanë. Ndërkaq janë të lënduar mbi 600 persona.
Tërmeti i parë i fuqishëm i magnitudës 6.3 goditi Shqipërinë rreth orës 03:50 të ditës së martë dhe kishte epiqendrën në Detin Adriatik, 40 km larg kryeqytetit, Tiranës dhe 10 km në veri të Durrësit. Lëkundje të tjera më të lehta janë ndjerë pas tij. Një tjetër tërmet i fuqishëm është regjistruar në orën 7:10 me magnitudë 5.4.
/Epoka e re/