Këta janë dy vëllezërit nga Gjilani të dyshuar për dhunimin e 16-vjeçares
Një tjetër rast i dhunimit ka ndodhur në Kosovë, ku edhe kësaj here viktima është një e mitur. Një 16-vjeçare, e cila dyshohet se për dy muaj me radhë është dhunuar nga dy persona, vëllezër mes vete.
Nisja e hetimeve për këtë rast erdhi pas raportimit të viktimës, që aktivizoi Policinë dhe si rezultat dy persona u arrestuan.
Burimet e Sinjalit nga Prokuroria kanë bërë me dije se dy personat që ranë në prangat e Policisë nën dyshimet për përfshirje në këtë rast janë dhe Lorent Murseli, 19-vjeçar dhe Artir Murseli, 24-vjeçar, të cilët tashmë janë dërguar në Qendrën e Mbajtjes, shkruan Sinjali.
Sinjali raportoi se bazuar në dëshminë e vajzës, që ka dhënë para hetuesve policorë, dy të dyshuarit kanë kryer marrëdhënie seksuale me të për dy muaj, në mars dhe në prill, periudhë kjo kur e mitura ka qenë jashtë shtëpisë. Gjithçka dyshohet se ndodhi në fshatin Velekincë, pasi 16-vjeçarja nisi shoqërimin me dy të dyshuarit, të moshave të reja.
Para hetuesve dhe zyrtarëve për punë sociale, 16-vjeçarja ka treguar e ka përshkruar në detaje krejt çka ka ndodhur për dy muaj me radhë.
Raportimi i saj ka vënë në veprim Policinë, që shoqëroi të dyshuarin në stacion policor, ku kanë dhënë deklaratat para hetuesve për veprën me të cilën ngarkohen.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalim policor prej 48 orësh, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Dhunimi”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.