Këta janë faktorët e rrezikut që favorizojnë shfaqjen e diabetit
Në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) u shënua të mërkurën Dita Botërore e Diabetit, nën moton “Diabeti dhe familja”.
Me këtë rast u tha se arsyeja e shënimit të kësaj dite është thirrje për aksion për gjithë ata që me kontributin e tyre do të përkrahin masat e parandalimit dhe kontrollit të diabetit, në Kosovë dhe botë.
Drejtori ekzekutiv i IKSHPK-së, prof. dr. Naser Ramadani ka thënë se në mbarë botën 425 milionë të rritur jetojnë me diabet dhe ky numër pritet të rritet në 642 milionë.
Sa i përket regjistrit populativ për sëmundje kronike jongjitëse, ai ka thënë se kjo ka filluar të stabilizohet në vitin 2017, prandaj nga ky regjistër kanë të dhëna vetëm për vitin 2017.
“Faktorët e rrezikut që favorizojnë shfaqjen e diabetit janë: trashëgimia, apo personat me histori familjare, moshat mbi 40 vjeç, obeziteti dhe mbipesha, mungesa e aktivitetit fizik, duhanpirja, tensioni i lartë i gjakut etj”, ka thënë Ramadani.
Zëvendësministri i Shëndetësisë, Rrustem Musa, ka thënë se Dita Botërore e Diabetit shërben për të punuar së bashku në ngritjen e vetëdijes publike për diabetin, por edhe në funksion të mobilizimit të të gjithëve në parandalimin dhe ballafaqimin me këtë sëmundje, që sipas tij ka implikime të mëdha shëndetësore, sociale dhe ekonomike, duke marrë parasysh edhe barrën e shpenzimeve për trajtimin, dhe pasojat e tjera që diabeti i shkakton.
“Ministria e Shëndetësisë do të jetë e përkushtuar që të vazhdojë të ofrojë përkrahje, për pacientët e prekur me diabet, dhe gjithashtu për profesionistët që merren me trajtimin e kësaj sëmundjeje, duke fuqizuar kapacitetet ekzistuese dhe duke krijuar kapacitete të reja, me qëllim të parandalimit të sëmundjes së diabetit, që do të kishte impakt të drejtpërdrejtë, në rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe mirëqenies së popullatës”, ka thënë ai.
Sa i përket mbulimit dhe trajtimit të diabetikëve me terapi, sipas tij Ministria e Shëndetësisë ka disa vite që ka krijuar regjistrin e pacientëve insulinë-vartës, që ka rreth 12 000 pacientë, për të cilët sigurohet insulina dhe barnat e tjera anti-diabetike.
Drejtoresha e Klinikës së Endokrinologjisë, dr. Venera Berisha u shpreh se bazuar në punën e përditshme në Klinikën e Endokrinologjisë, por edhe në Qendrat e Mjekësisë Familjare në tërë Republikën e Kosovës, trendi i rritjes së sëmundjes së diabetit tip 2, është shumë i madh.
Lidhur me këtë, ajo ka thënë se kjo formë e diabetit mund të parandalohet në shumicën e rasteve, përmes aktivitetit të rregullt fizik, një diete të shëndetshme dhe promovimit të mjediseve të shëndetshme të jetesës.
/Epoka e re/