Këta janë fituesit e “Mehmet Akif” që do të shkojnë në Cambridge dhe Boston
Ka përfunduar në Kosovë edicioni i parë i garës ndërkombëtare Owlypia dhe edicioni i radhës do të vazhdojë në Cambridge dhe Boston ku nxënësit e Kosovës që dolën të parët do të marrin pjesë në të.
Në shkollën Mehmet Akif u mbajt gara ndërkombëtare “Owlypia-The Intellectuals’ Challenge” ku nxënës nga të gjitha shkollat e rrjetit Mehmet Akif sfiduan veten për të kapur çmimet e para. Kordinatorja Akademike e Owlypia, Kristine Smith u shpreh se ka ngelur e kënaqur nga përgatitja e nxënësve në Kosovë. Ajo tha se përveç lëndëve tradicionale që fëmijët mësojnë në shkolla, sot jetojmë në një botë globale dhe të ndryshueshme dhe prandaj duhet t’i përgatisim nxënësit për këtë të ardhme.
“Konkurset Owlypia ndihmojnë të rinjtë të mësojnë rreth tematikave moderne përmes temave që trajtohen çdo vit. Tema e këtij viti është ‘Krijimtaria përtej kufijve’ dhe pjesëmarrësit ndoqën filma, lexonin libra dhe eksploruan temën e krijimtarisë. Vitin e ardhshëm do të shohim ‘Lidership’.
Në shkolla fëmijët mësohen të jenë konkurrues, të marrin notat më të larta dhe, kjo është e rëndësishme, por gara jonë përfshin “punën në grupe” dhe është thelbësore për jetën moderne. Ne jemi shumë krenarë për këtë.
Gjatë konkursit studentët takojnë njerëz të tjerë, punojnë së bashku për të zgjidhur sfidat kreative, për shembull debatimin në skuadra. Ata kënaqen shumë kur mësojnë përmes këtyre përvojave.
Faza tjetër është ajo ndërkombëtare, në Cambridge dhe në Harvard. Atje fëmijët do të takohen me fëmijë të tjerë nga e gjithë bota. Është një mundësi fantastike për të ndarë idetë dhe për të bërë miq” u shpreh Kristina Smith.
Kurse kordinatori i Mehmet Akif për Owlypia, Ali Oztoprak tha se pas kësaj gare presin që nxënësit e Kosovës të shkëlqejnë edhe në arenën ndërkombëtare.
“Gara kaloi shkëlqyeshëm dhe me shumë emocione. Tashmë fituesit do ta përfaqësojnë shkollën por edhe vendin e tyre në Angli dhe SHBA dhe besojmë se do të kenë sukses. Më vjen mirë që shkollat Mehmet Akif në Kosovë vazhdimisht mbështesin nxënësit për të marrë pjesë që në këtë moshë në garat ndërkombëtare.” tha ai.
Ndërkaq këta janë nxënësit që fituan të drejtën për të marrë pjesë më tej: Mert Jusufi, Olt Gashi, Andi Vllasoli, Musli Jemini, Allmedin Shehu, Arber Lezi, Jeton Sllamniku, Ermal Limaj, Drilon Salihu, Atdhe Dakaj, Rubin Kryeziu, Klesta Hoxhaj, Rea Haradinaj, Enea Kryeziu, Erkam Kotan, Leon Belegu, Frida Fetiu dhe Summeyye Tuzen.
Owlypia është një konkurs emocionues ndërkombëtar për nxënësit e moshës 11-14 vjeç dhe 15-18. Këtë vit edicioni i parë u mbajt në Prishtinë te shkollat Mehmet Akif dhe më pas fituesit e vendeve të para do të kenë mundësi të marrin pjesë në garat që do të mbahen në Cambridge dhe Boston.