Këta janë gjashtë kandidatët që synojnë postin e kryeprokurorit të shtetit (Emrat)
Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Jetish Maloku, së bashku me sekretariatin e KPK-së, ka bërë hapjen e aplikacioneve dhe ka shikuar materialet e pranuara nga gjashtë kandidatë, të cilët kanë aplikuar për pozitën e kryeprokurorit të shtetit.
Siç është thënë në njoftim e KPK-së, procesi i shikimit të materialeve të këtyre gjashtë kandidatëve është zhvilluar në prani fizike dhe përmes platformës “Zoom” të përfaqësuesve të Ambasadës Amerikane, Zyrës së BE-së, EULEX-it, Grupit për Studime Juridike dhe Politike, i cili është implementues i projektit “Monitorimi i sistemit gjyqësor dhe Prokurorial në Kosovë”, i financuar nga Ambasada Britanike në Kosovë, Instituti i Kosovës për Drejtësi, Lëvizja Fol, Rrjeti i OJQ-ve “AVONET” dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut.
Më tutje është bërë me dije se pas shikimit të materialeve të dorëzuara nga ana e kandidatëve, kryesuesi i KPK-së, Jetish Maloku, duke u bazuar në mandatin e tij dhe në kriteret e parapara me rregullore, ka konfirmuar se të gjithë kandidatët që kanë aplikuar i kanë plotësuar kriteret dhe konsiderohen formalisht si kandidatë për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Kandidatët që kanë aplikuar për pozitën e kryeprokurorit të Shtetit dhe që kanë plotësuar kriteret janë:
- Arben Ismajli, prokuror në Prokurorinë e Apelit;
- Armend Hamiti, prokuror në Prokurorinë Themelore të Prishtinës;
- Blerim Isufaj, kryeprokuror në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës;
- Kujtim Munishi, Kryeprokuror në Prokurorinë Themelore të Prishtinës;
- Lulzim Sulejmani, prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe
- Shqipdon Fazliu, prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Kjo listë me emrat e kandidatëve do të dërgohet te Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) për konfirmim final. Ndërsa Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) do të njoftojë me kohë për procedurat e tjera të procesit të zgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit.