Këta janë katër kandidatët për kryetarë të komunave që morën më së shumti vota
Komisioni Qendror i Zgjedhje (KQZ) ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve lokale të 17 tetorit.
Sipas këtyre rezultateve, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Prishtinës, Arben Vitia ka marrë më së shumti vota. Ai ka marrë 36 mijë e 818 vota, të cilat nuk kanë qenë të mjaftueshme për ta fituar garën pa balotazh.
Pas Vitisë, Agim Aliu nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka marrë 30 mijë e 627 vota në garën për kryetar të Ferizajt, duke marrë besimin e ferizajasve edhe për nja mandat.
Ndërsa kandidati i tretë që ka marrë më së shumti vota në zgjedhjet e 17 tetorit është Mytaher Haskuka i Vetëvendosjes, i cili ka garuar për kryetar të Prizrenit. Ai ka marrë 24 mijë e 378 vota.
Pas Haskukës, renditet kandidati për kryetar të Pejës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Gazmend Muahaxheri, i cili ka marrë 23 mijë e 426 vota.