Këta janë personat e përfshirë në tentimvrasjen e rëndë në Gjakovë

25 prill 2025 | 08:23

Një ngjarje e rëndë është shënuar në fshatin Rogovë të Gjakovës, ku një konflikt pronësor mes familjarëve ka përfunduar me të shtëna me armë zjarri dhe dy të arrestuar për tentim vrasje të rëndë.

Sipas burimeve të Sinjalit, në këtë rast janë të përfshirë:  Qendrim Thaçi, rreth 34-vjeçar – i dyshuar kryesor, i cili ka shtënë me armë në drejtim të një veture, duke rrezikuar jetën e personit brenda.

Endri Hoti, rreth 26-vjeçar – fillimisht i raportuar si viktimë, por pas hetimeve të para, ai ka ndërruar cilësinë nga viktimë në të dyshuar, dhe tani ndodhet në ndalim me urdhër të Prokurores së Krimeve të Rënda.

Ngjarja ka ndodhur më 24 shkurt 2025, rreth orës 16:24, kur pas një mosmarrëveshjeje për pronë mes Hotit dhe Thaçit, ky i fundit ka shtënë me armë zjarri në drejtim të veturës ku ndodhej Hoti, duke e goditur mjetin, por pa lënduar fizikisht askënd.

Pas incidentit, Qendrim Thaçi është vetëdorëzuar në stacionin policor së bashku me armën, e cila është sekuestruar nga njësitë e krimteknikës. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse, ndërsa është bastisur edhe shtëpia e Thaçit – ku nuk janë gjetur prova të tjera.

Sipas dokumentacionit hetimor të siguruar nga Sinjali, më datë 24.04.2025, me autorizim të Prokurores së rastit, është intervistuar edhe Endri Hoti, tashmë në cilësinë e të dyshuarit për veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë”.

“Vlen të ceket se i dyshuari Endri Hoti, fillimisht ka qenë i raportuar si viktimë, mirëpo pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore, ka rezultuar me ndërrimin e cilësisë nga viktimë tek person i dyshuar”, thuhet në dokumentin zyrtar.

Ai është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe me vendim të prokurores është ndaluar për 48 orë, njëjtë si edhe Thaçi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Numri i turistëve të huaj që shkojne në Shtetet e…