Këta janë pretendentët kryesor për të zëvendësuar Theresa May-n
Pasditen e sotme pritet të publikohet lista e kandidatëve konservatorë që do të kryesojnë qeverinë britanike për pjesën e mbetur të mandatit.
Pas dorëheqjes së kryeministres në largim, Theresa Mey, të paktën 11 kandidatë shpresojnë që të jenë pasardhësit e saj.
Mes kryesuesve të listës janë ish-ministri i Jashtëm dhe ish-kryebashkiaku i Londrës, Boris Johnson, kryediplomati Jeremy Hunt, ish-ministri për Brexit Dominic Raab dhe ministri aktual i Mjedisit Michael Gove.
Në fundjavë disa nga kandidatët bënë edhe një herë të qarta qëndrimet e tyre rreth Brexit.
Ministri i Jashtëm Hunt deklaroi të dielën se nëse ai zgjidhet kryeministër i vendit, kancelarja gjermane Angela Merkel i ka thënë se vendi mund të arrijë një pakt të ri për largimin nga BE-ja.
Ndërkaq Johnson tha se fatura 40 miliardë dollarë e divorcit me Bashkimin Europian nuk do të paguhet nëse Brukseli nuk e rinegocion marrëveshjen aktuale, dhe se do i përdorë paratë për ekonominë.
Për ish-ministrin e Brexit, Raab, parlamenti edhe mund të shkrihet nëse nuk arrihet një marrëveshje me Brukselin brenda 31 tetorit 2019.
Skualifikimi i kandidatëve të parë për kreun e ekzekutivit nis të enjten dhe pritet të përfundojë në fund të muajit korrik.
Fituesi mes dy kandidatëve finalë do të shpallet me votën e anëtarëve të partisë, ndërsa deri atëherë funksionet e kryeqeveritarit do i ushtrojë përkohësisht kryeministrja May.