Këta janë serbët e dyshuar për hapjen e tunelit që çonte në depon e Gjykatës së Lartë në Mal të Zi
Pak ditë pasi është zbuluar tuneli në Mal të Zi me gjatësi prej 30 metrash, i cili është hapur nga një banesë private që çon në Gjykatën e Lartë të Podgoricës, autoritet malazeze kanë zbuluar se të dyshuar janë katër shtetas serbë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Filip Axhiç, ka theksuar se personat e dyshuar janë Veljko Markoviç, Milan Markoviç, Dejan Jovanoviç dhe Vladimir Eriç nga Serbia.
Ndaj katër të identifikuarve, si dhe ndaj dy personave të panjohur është ngritur kallëzim penal, por Axhiç ka thënë se janë së paku edhe pesë bashkëpunëtorë të tjerë, raporton mediumi malazez Vijesti.
“Ekziston një lidhje e caktuar në mes të kësaj organizate kriminale dhe një personi nga Gjykata e Lartë dhe anëtarëve të një organizate kriminale që qëndrojnë në burg”, tha Axhiç.
Ai shtoi se zyrtarët e Drejtorisë së Policisë dhe Prokurorisë Themelore të Shtetit në Podgoricë kanë bërë të pamundurën dhe se kanë punuar ditë e natë për të ndriçuar grabitjen e depos së Gjykatës së Lartë.
Ministri falënderoi policinë dhe prokurorinë për reagimin e përbashkët.
Vlerësohet se muri i gjykatës është 70-80 centimetra i trashë, si shumica e objekteve të ndërtuara në Podgoricë pas Luftës së Dytë Botërore.
Fillimi i gërmimit të tunelit përkon me fillimin e rinovimit të godinës së Gjykatës së Lartë në Podgoricë.
Vjedhja u zbulua të hënën, më 11 shtator, kur zyrtarët e gjykatës vunë re se sendet brenda depos ishin kontrolluar.