Këta janë të arrestuarit për fajde në Prizren e Suharekë
Policia ka realizuar sot një operacion të gjerë policor në Prizren dhe në Suharekë. Operacioni policor është shtrirë në 6 lokacione të ndryshme, ku janë arrestuar 6 persona të dyshuar, nën dyshimin për përfshirje në veprat penale të ‘fajdesë’ dhe ‘detyrimit’.
Tashmë është mësuar se gjashtë të arrestuarit janë: Leotrim Muçaj, Bekim Kabashi, Lulzim Ahmetaj, Xhevdet Kokollari, Durim Gashi, Kujtim Kabashi.
Gjatë zbatimit të operacionit policor, është realizuar urdhër-kontrolli i gjykatës, ku në vendbanimet e personave të dyshuar janë sekuestruar: 20 njësi banesore dhe lokale afariste, 5 automjete, 5 armë dhe municion të kalibrit të ndryshëm, dokumentacione, si: kontrata, para-kontrata, para të gatshme, prova digjitale, si dhe janë bllokuar llogaritë bankare të personave të dyshuar.
Të dyshuarit në këtë rast, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë, kanë kontraktuar shuma dukshëm joproporcionale të pasurisë, në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të viktimës.
Të dyshuarit kanë arritur të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme nga viktima shuma të mëdha të parave si dhe prona të paluajtshme dhe të luajtshme si formë e interesit nga veprimtaria e fajdesë, vlera e të cilave kalon shumën mbi 1 milion euro.
Të dyshuarit pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit nga PTh- Prizren, ndalohen për 48 orë.