Këta janë të propozuarit e LDK-së për anëtarë të KQZ-së
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cila në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) tash do të ketë dy anëtarë, nga një sa kishte në mandatin e kaluar, tashmë ka dërguar në Presidencë emrat e dy kandidatëve për anëtarë të KQZ-së.
Sami Hamiti i cili ka qenë anëtarë i KQZ-së edhe në mandatin e kaluar, së bashku me Florian Dushin janë të propozuarit e LDK-së për anëtarë të KQZ-së.
Këtë për “lajmi.net” e ka konfirmuar sekretari i LDK-së, Ismet Beqiri.
Ai ka thënë se propozimet janë dërguar që një kohë të gjatë, por që ende nuk ka ndonjë vendim nga presidenti Hashim Thaçi.
“Ne kemi dërguar si parti dy emra ka një kohë dhe ata janë Sami Hamiti dhe Florian Dushi. Ende nuk ka ndonjë hap a po vendim nga presidenti”, është shprehur Beqiri.
Edhe PDK-ja ka propozuar emrin për përfaqësuesit të KQZ-së, ai do të jetë Betim Gjoshi, i cili po ashtu ka qenë anëtar edhe në mandatin e kaluar.
Ndërsa, AAK-ja e Nisma ende nuk kanë vendosur për përfaqësuesit e tyre, pasi koalicionit PAN i takojnë dy.
Lëvizjes Vetëvendosje e cila do të ketë dy anëtarë, aq sa ka edhe LDK-ja ende nuk ka bërë të ditur emrat se kush do të jenë anëtarë të KQZ-së.
Pushteti dhe opozita do të kenë përfaqësim të njëjtë të anëtarëve në KQZ.
Anëtarëve të KQZ-së ka më shumë se një muaj që u ka skaduar mandati, ndërsa presidenti Hashim Thaçi në fund të muajit prill ka emëruar edhe për një mandat në krye të KQZ-së, Valdete Dakën.