Këta janë tre mërgimtarët që sulmuan Policinë e Kosovës në Merdarë
Një ngjarje e shëmtuar ndodhi mëngjesin e sotëm në pikën e kalimit kufitar në Merdar, ku disa mërgimtarë u përfshinë në një përleshje me dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Tre persona të dyshuar për këtë incident përfunduan në Polici dhe tashmë ndaj tyre kanë nisur hetimet.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se dy mërgimtarët e arrestuar sot janë Gëzim Gashi, Besnik Qeleposhi dhe D.G., i moshës së mitur – ndaj të cilëve Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.
Gashi, Qeleposhi dhe i mituri po dyshohen se kanë sulmuar zyrtarët policorë që urdhëruan të kthehen në kolonë dhe të mos bëjnë tejkalime, por hasën në rezistencë dhe u përballën me të njëjtit.
Policia kërkoi asistim dhe situata më pas është vënë nën kontroll dhe si rezultat të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar.
Rastin për Sinjalin e ka konfirmuar sot gjatë ditësh edhe zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Sot rreth orës 10:00, në Merdarë ka ndodhë një incident, ku patrulla e policisë është sulmuar nga persona të dyshuar. Në këtë rast lëndime trupore kanë pësuar dy zyrtarë policor. Pas vënies nën kontrollë të situatës dhe shoqërimit në stacion të tre personave të dyshuar, policia në koordinim me prokurorin e shtetit, kanë nisë një hetim për veprën Sulm ndaj personit zyrtar”, ka thënë Ahmeti.