
Këta janë tre personat e arrestuar pas përleshjes mes tifozërive në ndeshjen Liria-Vëllaznimi
Derbi i Ligës së Parë i zhvilluar ditën e sotme mes Lirisë dhe Vëllaznimit la një shije të hidhur në fund të ndeshjes.
Teksa numër i shumtë i tifozëve ishin të pranishëm në stadiumin “Përparim Thaçi” në Prizren për të ndjekur këtë duel, duke krijuar një atmosferë të jashtëzakonshme, megjithatë e gjitha kjo u kthye në një incident me të mbaruar ndeshja.
Skuadra prizrenase triumfoi në këtë duel me rezultat minimal 1-0, por dy tifozëritë, ajo vendase dhe ajo e Gjakovës që kishin udhëtuar, u munduan të “qërojnë hesape” pas ndeshjes.
Tifozët vendas hynë në fushë duke tentuar t’i sulmojnë futbollistët e ekipit nga Gjakova dhe kësisoj nuk munguan as hedhjet e gjësendeve të forta në fushën me bar.
Për rastin janë arrestuar tre persona dhe siç merr vesh ekskluzivisht Sinjali janë: Brezjan Dakaj, Diolind Dakaj dhe Omer Pozderi. Për rastin ka folur edhe Nexhdet Mrasori, komandat i Policisë në Prizren, i cili ka thënë se të dyshuarit janë identifikuar përmes pamjeve dhe më pas janë arrestuar.
“Tre të dyshuarit pasi janë shoqëruar në Polici ku edhe janë intervistuar nga hetuesit policorë – me vendim të Prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë”, tha Mrasori.
Ai tutje ka treguar se në rast është lënduar vetëm një person, pasi fillimisht ishte raportuar për dy të lënduar.
“Tjetri e ka pranuar vetë se është lënduar shkallëve, dhe jo nga dikush tjetër”.
Mrasori tha se rasti është duke u hetuar, ndërsa tregoi se të gjitha vendimet tjera i marrin në bashkëpunim me prokurorin e rastit.