Këta janë tre personat e dyshuar për grabitjen e armatosur në Parallovë
Mesditën e 18 nëntorit të vitit 2021, tre persona të armatosur në fshatin Parallovë të komunës së Artanës, u kishin dalë në pritë automjetit të ‘Besa Security’, i cili po bartte paratë e bankës ‘Pro Credit’. Të dyshuarit u larguan që aty bashkë me paratë e bankës dhe dy prej tyre kanë shijuar lirinë nga arratia deri sot, kur edhe u arrestuan.
Sinjali mëson ekskluzivisht se tre personat që janë identifikuar si të dyshuar në këtë rast janë Viktor Sogojeva 30-vjeçar, Agron Berisha 40-vjeçar dhe Nexhat Muqolli 47-vjeçar.
Sogojeva dhe Berisha janë arrestuar sot gjatë bastisjes që u krye në shtëpitë e tyre nga Policia në koordinim me Prokurorinë, ndërsa Muqolli ndodhet ende në arrati dhe i njëjti dyshohet se gjendet në shtetin e Gjermanisë.
Në njoftimin e Policisë thuhet se gjatë kontrollit në shtëpitë dhe objektet përcjellëse të dy të dyshuarve janë gjetur dhe konfiskuar si provë materiale për gjykatën: një (1) pistoletë e llojit TT, dy (2) karikatorë të armës së njëjtë, trembëdhjetë (13) copë fishekë të kalibrit 7.62 mm, para në vlerë 2600 euro, dy (2) karikatorë të zbrazët të armës AK/47, një (1) kondak i armës AK/47, trembëdhjetë (13) copë fishekë të armës AK/47 si dhe gjatë (6) copë gëzhoja të kalibrit 7.62 mm. të pushkës automatike.
Nga Prokurori i Shtetit ndaj të dyshuarve është lëshuar masa e ndalimit për 48 orë dhe ndaj tyre do të ngritët kallëzim penal për veprat penale ‘Grabitje’, ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’.
Ndryshe, në rastin që ndodhi në nëntor të 2021, personat që kryen grabitjen e armatosur po dyshohet se patën një ‘dorë’ brenda kompanisë, që u ndihmoi. Bëhet fjalë për menaxherin e Logjistikës të ‘Besa Security’, Milaim Lipovica, i cili gjendet në paraburgim.
Lipovica mesa duket ‘sigurimin’ e vetëm që e ka bërë në këtë rast ka qenë ndihma për t’u grabitur paratë nga kompania për të cilën shërbente. Sinjali ju sjellë detaje ekskluzive se si ishte përgatitur gjithçka dy javë para se të ndodhte grabitja.
Milaim Lipovica, 41 vjeçar, bashkë me Besim Kasumin, 40-vjeçar po dyshohen se atë ditë bënë gjithçka gati që automjeti me paratë që po transportoheshin të grabitej.