Këtë javë në Malishevë fillon aplikimi për ndërtimin e serrave
Këtë javë në Komunën e Malishevës pritet të fillojë aplikimi i bujqve për ndërtimin e serrave. Kështu është bërë me dije të hënën në mbledhjen e rregullt të Këshillit të Drejtorëve të Komunës së Malishevës e cila është drejtuar nga nënkryetari i kësaj komune, Hajdin Berisha.
Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Murat Hoxha, ka thënë se fillimisht bujqit do të aplikojnë për ndërtimin e serrave, kurse më pas në bazë të numrit të aplikuesve dhe atyre që i plotësojnë kriteret do të bëhet edhe përzgjedhja e përfituesve.
Ai ka theksuar se tani janë në përfundim të procedurave edhe për subvencione në bletari. Ndërsa drejtori i Drejtorisë së Inspektoratit, Dibran Kastrati, ka njoftuar për aktivitetet e inspektoratit që ka të bëjë me disa inspektime gjatë javës së kaluar.
Ai ka thënë se si rezultat i inspektimeve janë ndaluar disa punimet të ndërtimeve pa leje dhe janë kontrolluar kafiteritë në këtë qytet, me ç’rast kanë hasur në moszbatim të ligjeve dhe aktiviteteve të tjera të inspektoratit.