Këtë javë pritet të përpilohet teksti i mocionit për rrëzimin e Qeverisë (Video)
Këtë javë pritet takimi i liderëve të opozitës për nisjen e një mocion votëbesimi kundër Qeverisë së drejtuar nga Ramush Haradinaj.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Vjosa Osmani, e ka rikonfirmuar takimin e liderëve të partive opozitare brenda kësaj jave, qëllimi i të cilit ka thënë se është intensifikimi i bashkëpunimit në mes tyre dhe koordinimin rreth përmbajtjes se mocionit për rrëzimin e Qeverisë aktuale.
Osmani duke mos dashur të flas për emrat e deputetëve nga mazhoranca të cilët i kanë targetuar për t’u marr nënshkrimet për rrëzimin e koalicionit PAN, ka thënë se me këta deputetë ka kohë që kanë bashkëpunim.
Ajo ka thënë se finalizimi i këtyre bashkëpunimeve me deputetët e pozitës do të mund të bëhet vetëm pas përfundimit të takimit të paralajmëruar të tre liderëve të partive opozitare.
Më tutje, Osmani nuk e ka përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit për rrëzim të Qeverisë edhe me deputetët e Listës Serbe, teksa është shprehur se ky vendim do të merret në ditët në vijim.
Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka thënë se tani është koha e mocionit për rrëzim të koalicionit PAN. Ai ka theksuar se kjo javë do jetë vendimtare për përpilimin e tekstit të mocionit, por jo edhe për rrëzim e Qeverisë.
Konjufca e ka pranuar se opozita nuk i ka votat për rrëzimin e Qeverisë, por ka thënë se ato do t’i kërkojnë edhe brenda koalicionit qeverisës.
Kritik ndaj dy partive më të mëdha opozitare është shfaqur shefi i grupit parlamentar të Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Sejdiu.
Ai ka thënë se përkundër që nënshkrimet për rrëzim të Qeverisë Haradinaj i kanë dorëzuar në korrik të vitit të kaluar, deri më tani ka munguar bashkëpunimi opozitarë.
Sipas tij, deri tash LDK-ja dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë pasur vetëm akuza ndaj PSD-së dhe jo bashkërendim, pa të cilin, siç ka thënë ai, nuk mund të ndodh rrëzimi i kësaj qeverie. Për rrëzimin e Qeverisë duhet të sigurohen të paktën 61 vota. /Kosovapress/