Këtë vit do të fillojë ndërtimi i sallës së sporteve në shkollën “Shaban Jashari”
Kryetari i Komunë së Skenderajt, Bekim Jashari, ka thënë se shënimi i ditës së shkollës “Shaban Jashari”, që mbushi 93 vjet të themelimit të punës si institucion edukativo-arsimor, si dhe 95-vjetori i lindjes së heroit tonë kombëtar Shaban Jashari, i gjen në nivelin më të lartë të përkushtimit si qeveri komunale, për ngritje të cilësisë në arsim, në të gjitha shkollat e komunës dhe në të gjitha ciklet e arsimit.
Jashari ka thënë se shkolla fillore “Shaban Jashari” sot e kësaj dite, që prej vitit 2013, kohën kur është ndërtuar, vuan mungesën një salle të sportit, me çka iu është mohuar padrejtësisht nxënësve mundësia të zhvillojnë lëndën e edukatës fizike në kushte të përshtatshme, por edhe aktivitete të tjera sportive.
“Por kjo gjendje tashmë ka marrë fund, pasi sivjet do të fillojmë me ndërtimin e sallës së sporteve për shkollën ‘Shaban Jashari’, do të vijojmë me ndërtime të sallave edhe në fshatrat Polac, Likoc dhe Rezallë, si dhe për shkollën ‘Anton Çetta’. Kemi ndërmarrë dhe po ndërmarrim çdo ditë veprime konkrete, për të investuar në sferën e arsimit, siç janë: finalizimi i projektit për fuqizim të kabineteve të informatikës në shkollat e qytetit; dyfishimi i mjeteve financiare për transportin e nxënësve; rritja e buxhetit për ndarje të bursave për nxënës të shkollave të mesme; ndarja e 164 bursave për studentë të dalluar të Skenderajt”, ka thënë kryetari Jashari.
Ai ka shtuar se vetëm me angazhim të shtuar nga ana e mësimdhënësve në profesionin e tyre fisnik, meqë mësuesi llogaritet si prind i dytë, dhe me mësime nga ana e nxënësve, do të krijohet bazament për një shoqëri të emancipuar dhe të edukuar.
/Epoka e re/