
Këtë vit, Kosova merr kryesimin e RYCO-s
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, mori pjesë të enjten në konferencën e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim të Rinisë (RYCO), “Fuqizimi i rrugës për pajtim dhe bashkëpunim rajonal. Debati për të ardhmen evropiane të të rinjve kosovarë”.
Në konferencën e cila u mbajt në Prishtinë, ministri ka folur për bashkëpunimin e deritashëm dhe i ka falënderuar drejtuesit e RYCO-s dhe të pranishmit për organizimin e konferencës, si dhe për vazhdimin e realizimit të objektivave në të mirë të rinisë.
Këtë vit, kryesimin e Bordit Drejtues të RYCO-s do ta ketë Kosova dhe ministri e konsideroi këtë si një privilegj dhe një nxitje për të punuar edhe më shumë për rininë.
“Në momentin që po flasim RYCO ndodhet në një pozicion shumë më të favorshëm krahasuar me vitin e kaluar; me një strukturë të konsoliduar dhe me objektiva të qarta strategjike se ku e sheh veten në të ardhmen”, ka vlerësuar ministri Gashi, duke shtuar se themelimi i RYCO-s është një mundësi e mirë e shkëmbimeve rinore rajonale e cila duhet të shfrytëzohet nga të rinjtë.
RYCO është mekanizëm i pavarur institucional i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, Kosovës, Shqipërisë, Bosnjës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë për bashkëpunim rajonal në fushën e rinisë.
/Epoka e re/